Site icon Telegrafi

​Quni fajëson Kurtin për komunikimin e Kusari-Lilës me Radoiçiqin

Në Kuvend po mbahet seanca e jashtëzakonshme lidhur me audio-incizimet e shefes së Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq.

Të pranishëm në seancë janë vetëm subjektet opozitare, ndërsa mungojnë deputetët e pozitës, transmeton Telegrafi.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, ka thënë se kryeministri Albin Kurti e ka detyruar shefen e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila të bisedojë me ish nënkryetarin e Listës Serbe, terroristin Milan Radoiçiq.

Quni duke folur në emër të deputetëve të LDK-së në seancën e sotme të Kuvendit, kërkoi nga Kusari-Lila të rrëfehet para prokurorisë për këtë komunikim me terroristin Radoiçiq.

“I drejtohem zonjës Kusari-Lila, seriozisht kam dhimbje për juve. Nuk jeni fajtori kryesor. Fajtori kryesor është lideri juaj, kryeministri Albin Kurti. Nuk e di se si ju ka detyruar të bëni marrëveshje me kriminelin, krijesën e inteligjencës së Serbisë. Kuptojeni se ju për mbretin tuaj në tabelën e shahut nuk jeni mbretëresha e tij as piuni i tij, por me këto kapërcime që bëni nga tabori i tij në taborin e kundërshtarit dhe prapë ktheheni te mbreti kur e ka punën keq, apo e dini se cila figurë e shahut jeni për mbretin tuja. Ju e keni mundësinë të tregoni pak moral, të tregoni se edhe në politikë ka moral. Është mirë të rrëfeheni dhe të kërkoni falje. Me vrap të shkoni në prokurori dhe mos prisni të iu thërrasin”, tha ai.

Seanca po vazhdon me deklarimet e deputetëve pas audio-incizimeve të publikuara mes Kusari – Lilës dhe Radoiçiqit./Telegrafi/

 

 

Exit mobile version