Site icon Telegrafi

Qumështi i sojës – mbrojtës i zemrës dhe i enëve të gjakut

Soja dhe produktet e saj janë shumë të vlerësuara dhe të kërkuara në botë që kur janë konstatuar të gjitha vlerat e saj.

Dijana Daka – Nahi
Nutriciste
tel. 044 180 052

Çfarë ka qumështi i sojës që e veçon nga produktet e tjera?

Pija e përftuar me procedurë speciale nga kokrra e sojës, sipas ngjyrës, përbërjes dhe konsistencës është e ngjashme me qumështin shtazor.

Mirëpo, në krahasim me qumështin e lopës ka më shumë proteina dhe më pak yndyra. Është më i varfër edhe me karbohidrate.

Ajo që është më e rëndësishme, nuk përmban kolesterinë, andaj mund të konsumohet pa frikë në preventivën dhe dieto-terapinë e disa sëmundjeve të zemrës dhe të enëve të gjakut.

Ngjyra e bardhë e qumështit të sojës rrjedh nga glicina, e cila lidhet me kalciumin si edhe në qumështin e lopës.

Mirëpo, edhe pse i ngjan qumështit të lopës qumështi i sojës nuk e ka shijen e qumështit të lopës. Duke pasur parasysh se përftohet nga bishtajoret, me aromë ngjason me bizelen e gjelbër.

Nuk përmban kripë, yndyra të forta, si edhe as laktozë sheqeri të qumështit, për ç’shkak duket i hollë dhe si ujë. Dhe për të përmirësuar shijen, qumështit të sojës i shtohet sheqer vanilje apo pak kripë.

Përbërës mineralë në qumështin e sojës ka në sasi të konsiderueshme, posaçërisht kalium, kalcium, fosfor, magnez, hekur, zink, mangan, bakër, selen dhe silic.

Vitaminat në qumështin e sojës paraqesin një thesar të rëndësishëm. Posaçërisht veçohen vitaminat e grupit B, të rëndësishme për metabolizëm dhe mbrojtje të organizmit.

Në sasi më të madhe janë të pranishme edhe vitamina E, provitamina e vitaminës A, si edhe niacini dhe vitamina H.

Futja në organizëm e këtyre vitaminave është shumë e rëndësishme për shkak të krijimit të sistemit mbrojtës të organizmit, si edhe në shërimin e sëmundjeve kardiovaskulare, por deri diku edhe të sëmundjeve malinje.

Qumështi i sojës në ushqim i ndihmon mëlçisë që të lirohet nga teprica e pikëzave të yndyrave në qelizat e veta, ndërkaq për shkak të vlerave të veta dietale mund të përdoret edhe në dietoterapi te disa sëmundje. /Telegrafi/

Exit mobile version