Të indinjuar me mos veprimet e Qeverisë së Kosovës për largimin e produkteve me vaj palme, qumështarët kanë paralajmëruar protestë për ditën e martë, me fillim në orën 13:00.
Qumështarët e Kosovës do të parakalojnë me cisterna të qumështit nga parkingu i Pallatit të Rinisë, nëpër rrugën ‘Garibaldi’, përskaj Katedrales, te Mensa e Studentëve e deri tek objekti i Qeverisë së Kosovës.
“Te Qeveria e Kosovës do të shprehim indinjatën tonë kundrejt qetësisë ndaj vajit të palmës që përveç që po na falimenton neve si qumështarë, është duke e shkatërruar edhe shëndetin e konsumatorit”, thuhet në njoftim.
Pas protestës, rreth orës 14:00 do të mbahet një konferencë për shtyp për të shpjeguar kërkesat dhe veprimet e mëtutjeshme të qumështarëve.
Së fundmi, fermerët e Kosovës, pikat grumbulluese dhe shumica e përpunuesve të qumështit kanë krijuar Këshillin koordinues ndërmjet shoqatave duke u unifikuar kështu në luftën kundër vajit të palmës. /Telegrafi/