Shoqata e Qumështarëve të Kosovës ka bërë kërkesë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) për masa mbrojtje për produktet e qumështit e që i bie masa mbrojtëse kundër vajit të palmës.
Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Shoqatës Qumështarëve të Kosovës, Ramadan Memaj, i cili ka treguar se ka informata që në MTI, është bërë edhe një kërkesë nga Shoqata e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës, që mos të merren masat për t’u ndaluar këto produkte.
Por këto pretendime i ka hedhur poshtë kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit të Kosovës, Milazim Berisha, i cili tha se kanë kërkuar nga MTI-ja aplikimin e masave mbrojtëse dhe nuk është e vërtetë ajo që është thënë që ata kanë bërë kërkesë që mos të aplikohen masat mbrojtëse nga MTI-ja.
“Nuk është e vërtetë. Nuk është normale nëse dikush prej neve kërkon diçka të tillë. Ne kemi bërë kërkesë që të aplikohen masat mbrojtëse dhe nuk është e vërtet”, tha Berisha për KosovaPress.
Ndërsa kryetari i Shoqatës së Qumështarëve, Ramadan Memaj, ka thënë se ka dyshime që kërkesa për mos me i vendos masat mbrojtëse është bërë nga Shoqata e Prodhuesve të Qumështit ku sipas tij ka dyshime që anëtarët e kësaj shoqate importojnë këto produkte me përmbajtje të yndyrave bimore.
“Faktikisht disa anëtarë të shoqatës të cilët dyshohet dhe faktikisht kjo vërehet edhe në treg që produktet e tyre kanë përmbajtje të yndyrave bimore. Kemi informacione se kanë kërkuar prej MTI-së që mos me u ndërmarrë këto masa, mirëpo për këtë ka informacione se edhe vet kryetari i Shoqatës së Qumështit të Kosovës edhe ai është përpunues edhe ai ka qenë pjesë e këtij procesi”, tha Memaj.
Memaj, ka treguar se që nga nëntori i vitit të kaluar kanë bërë kërkesë në MTI, që të hiqen nga tregu produktet me yndyrë bimore.
“Është fjala për masat për produktet me yndyrë bimore. Kemi kërkuar që ato mu tërheq prej tregut edhe mu ndalu me u shitë në Kosovë. Kemi kërkuar ndërmarrjen e masave anti dumping . Kërkesën e kemi dërguar nga fundi i muajit nëntor të vitit 2017-të. MTI-ja i ka filluar inicimin e hetimeve edhe ne po presim se çfarë kanë me ndërmarr”, tha Memaj, përmes telefonit.
Ndërsa tregon se MTI-ja i ka njoftuar se kanë filluar hetimet lidhur me produktet që importohen si të dyshimta me përmbajtje të vajit të pallmës.
Kosovapress e ka kontaktuar edhe kryetarin e Shoqatës së Fermerëve të Kosovës, Besim Kuqin, i cili ka thënë se në emër të fermerëve bashkë me Shoqatën e Qumështarëve kanë bërë kërkesë dhe e mbështesin kërkesën për vendosje të masave mbrojtëse pasi sipas tij ata janë më të dëmtuarit nga importi në këtë rast.
“Ne kemi bërë kërkesë dhe plotësisht e mbështesim atë kërkese. Kjo më së shumti shkon në interes të fermerëve, prodhuesve se sa përpunuesve sepse ne e vërejmë menjëherë ndikimin”, tha Kuqi.
KosovaPress ka kontaktuar zyrtarë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje. /Telegrafi/