Zbritur në Myzeqe disa vjet më parë, Hasan Xhaja nga Skrapari, ka 15 vjet që merret me blegtori por 10 vitet e fundit merret me mbarështimin e gomaricave pasi tregton qumështin e tyre.
Hasani ka ngritur fermën e tij me gomarica në fshatin Vajkan në Fier.
Ai tregon se e nisi nga nevoja e tij.
“Para 10 vitesh kam kaluar një tip gripi. Dikush më adresoi për qumësht gomarice. Mora 2 gomarica. Gjatë kësaj kohe ndjeva qetësi shpirtërore nga sëmundja dhe vazhdova ta shtoj biznesin edhe për të tjerët”, tregon ai për televizionin A2.
Nga dy, tashmë ka 25 krerë gomarica, por vështirësi ka me gjetjen e tregut për këtë produkt.
Ai thotë se në ditë merr nga to 4 litra qumësht.
Klientët janë nga shumë vende të Shqipërisë e kryesisht jugu por edhe nga shtete si Gjermania e Italia.
Veç gomaricave ka edhe dele, nga qeveria ka marrë subvencione vetëm për këto të fundit, ndërsa gomaricat i mban me shpenzimet e veta. “Gomaricat i kam të matrikulluara por nuk kam marrë subvencion”, tregon ai.
Qumështi i gomaricës bën mirë në kurimin e sëmundjes së kollës së mirë, po sëmundjeve të mushkërive dhe së fundmi edhe për produktet kozmetike.