Qendra e Provimeve Shtetërore (QPSH) i është përgjigjur Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) se provimin e maturës shtetërore e ka zhvilluar në mënyrën më profesionale brenda kompetencave të saj. Nga QPSH thonë se testet u përgatitën dhe u shpërndanë shkollave në kohën e duhur dhe testimi filloi me kohë.
“Zhvillimet në lidhje me grupin viber dhe ndarjen e pyetje-përgjigjeve gjatë provimeve do të diskutohen në Bordin Shtetëror të Maturës, si autoriteti më i lartë për realizimin e maturës shtetërore. Në mbledhje anëtarët e QPSH-së do të vendosin nëse dhe çfarë sanksionesh do të vendosen për të gjithë ata që janë përfshirë në prishjen e procesit të maturës shtetërore. Qëndrimi i QSHP është që provimi i gjuhës angleze të mos anulohet për të gjithë ata që kanë respektuar rregullat për kryerjen e provimit të maturës shtetërore”, theksojnë nga QSHP në letër.
Qendra Shtetërore e Provimeve apelon që të respektohen procedurat për realizimin e provimeve të brendshme në kuadër të provimit të maturës shtetërore, për të cilën janë përgjegjës komisionet e maturës shkollore.
Kjo vjen pasi më herët gjatë ditës së sotme MASH-i iu drejtua QPSH-së si institucioni kompetent për organizimin e provimit të maturës shtetërore, me qëllim që të vendosë përgjegjësinë tek pjesëmarrësit në zbatimin e procesit, në lidhje me lëshimin e bërë gjatë provimit të dytë të jashtëm në anglisht.
“Edhe pse testi nuk ishte i disponueshëm për nxënësit para provimit, pra u nda mes maturantëve përmes një aplikacioni për komunikim elektronik gjatë vetë provimit, megjithatë është një lëshim që nuk duhej të kishte ndodhur dhe sjell përgjegjësinë e duhur”, thonë nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës./Telegrafi/