Telegrafi

Qosja është pro idesë së korrigjimit të kufijve me Serbinë, sqaron pse është pro këtij projekti (Video)

Akademiku kosovar Rexhep Qosja është pro idesë së korrigjimit të kufirit. Mirëpo, Qosja thotë se kjo nuk është terminologjia e duhur.

Sipas tij, kjo i bie shkëmbim territoresh dhe e sheh si zgjidhjen me të mirë të problemeve ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Akademiku mbështet idenë e ndryshimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë por sqaron keqkuptimet që janë hasur në këtë proces, shkruan klankosova.

“Keqkuptim të veçantë të çështjes së shkëmbimit të territoreve përfaqëson togfjalëshi ndarje e Kosovës. Me këtë togfjalësh në disa raste synohet zhvlerësimi i skajshëm i çështjes së shkëmbimit të territoreve, i korrigjimit të kufijve, i lëvizjes së kufijve, që në asnjë rast nuk kanë qëllimin, prandaj as kuptimin e ndarjes së Kosovës”, ka thënë Qosja.

Pas sqarimeve, akademik Qosja tregoi pse është pro këtij projekti, që sipas tij ka ardhur nga intelektualët shqiptarë, jo nga Serbia.

“Shkëmbimi i territoreve: I veriut të Mitrovicës, natyrisht pa objektet vitale për zhvillimin e Kosovës, me Luginën e Preshevës (Preshevë, Bujanoc e Medvegjë) do të ishte zgjidhja politike, shtetërore e kombëtare, domethënë do të ishte zgjidhja historike e çështjes së marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë”, vlerëson Qosja.

Ndërsa tentimin e politikanëve duke aluduar më së shumti te presidenti Hashim Thaçi që bashkimin e Luginës ta bëjnë pa dhënë asgjë, e sheh si folklor politik.

Qosja thotë se ata duhet ta pranojnë se një gjë mund të realizohet vetëm duke i dhënë Serbisë, veriun e Kosovës, i cili është i banuar me shumicë serbe. /Telegrafi/