Telegrafi

Qorrolli: Asociacionit “edhe nëse i dalin brirët” nuk mund të bëhet shtet i dytë brenda Republikës së Kosovës (Video)

Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Vigan Qorrolli beson se në fund të këtij viti do të përafrohen qëndrimet për arritjen e një marrëveshjeje ndërkombëtare mes Kosovës dhe Serbisë.

“Elita jonë politike së pari duhet të arrijnë konsensusin moral, në mënyrë që të flasin në mënyrë unike për Kosovën”, tha  Qorrolli në “Dossier D” në RTV Dukagjini, duke shtuar se SHBA dhe Evropa në mënyrë të paprecedent nuk kanë pajtime për Kosovën.

Ai ka thënë se në Samitin e Berlinit të gjithë liderëve ballkanikë u është parashtruar një pyetje: “A është krijimi i shteteve etnike, zgjidhja e problemit në Ballkan për shekullin XXI?”.

Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare mendon se një marrëveshje që nuk prek kufijt e Kosovës do të ishte zgjidhje më afatgjate.

“Asociacionit edhe nëse i dalin ‘brinat’ nuk mund të bëhet shtet i dytë brenda Republikës së Kosovës. Ai do t’i ketë disa garanca shtesë në bazë të marrëveshjes së vitit 2013. Unë kam qenë vazhdimisht kritik i këtij asociacioni, sepse brenda sistemit tonë juridik do të krijojë një “djall kushtetues”, por ai nuk mund ta paralelizojë Republikën e Kosovës”.

Qorrolli ka thënë se nuk qëndrojnë deklaratat se mund të merret Lugina e Preshevës pa ndonjë çmim.

“Edhe në treg kur del ju duhet të jepni diçka për të marrë diçka. Kështu që është një lloj pazari që do të mund të negociohej si një mundësi e arritjes së një kompromisi, i cili do ta përfundonte subjektivitetin e Kosovës e ky subjektivitet do të përfundojë vetëm kur të anëtarësohemi në OKB”, tha Qorroli./Telegrafi/