Në konferencën e mbrëmshme për shtyp të laureates së “Kurorës së Artë” të Mbrëmjeve strugane të Poezisë, ka ndodhur një incident kur këshilltari i kryetarit të komunës së Strugës, Bekim Qoku, iu është drejtuar laureates, Margaret Atwood me pyetje që kanë të bëjnë me mospërfilljen e gjuhës shqipe nga drejtoria e festivalit, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Nga drejtuesit e konferencës ati i është kërkuar që të “legjitimohet” se nga cila redaksi vjen, por Qoku ka vazhduar me pyetjet: “A e dini se keni ardhur në një qytet me shumicë shqiptare, ku gjuha shqipe anashkalohet tërësisht? A e dini se merrni një çmim nga një Qeveri fashiste që nuk respekton gjuhën shqipe? A do të merrni po ashtu një çmim edhe nga Koreja e veriut?”
Laureatja nuk ka dhënë përgjigje, ndërsa drejtuesit e konferencës për shtyp kanë deklaruar se kjo është jashtë temës dhe kjo është konferencë për gazetar e jo për debate.
“Ai u prezantua si gazetar dhe nuk tregoi akreditimin e tij. Iu kërkua akreditimi nga cila media vjen. Bëhet fjalë për qëllim të parashtrimit të pyetjeve që janë jashtë temës së konferencës. Ai filloi të flet diçka në anglisht. Meqë pyetja ishte jashtë temës atij iu kërkua që ta braktis sallën sepse kishte qëllim që ta prish konferencën për shtyp” ka deklaruar Kryetari i Këshillit drejtues, Slave Gjorgjo Dimovski./Telegrafi/