Site icon Telegrafi

QNR kërkon rinumërimin e disa vendvotimeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot do të mbajë mbledhjen e radhës.

Në rend të ditës njëra nga temat është edhe shqyrtimi i rekomandimit të Qendrës për Numërim dhe Rezultate për të rinumëruar disa vendvotime.

Deri më tani, nuk dihet saktë numri i vendvotimeve që do të kërkohet për t’u rinumëruar dhe as arsyeja.

Ndryshe, mbrëmë pas mesnate në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka përfunduar publikimi i rezultateve të votimit përmes postës.

Lexo po ashtu Përfundon numërimi i votave me postë, Vetëvendosje thellon diferencën ndaj LDK-së

Nga 13 mijë e 241 fletëvotime të vlefshme nga votimi përmes postës, LVV ka marrë 7030 vota, LDK 2158 vota, PDK 2139, Nisma-AKR 916 vota dhe AAK-PSD 555 vota.

Ndërsa sipas rezultateve të deritashme preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 25.50 për qind, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 24.83 për qind.

Partia Demokratike e Kosovës radhitet e treta me 21.25 për qind të votave, kurse koalicioni AAK-PSD në zgjedhjet e së dielës ka marrë 11.57 për qind.

Ndërsa koalicioni NISMA-AKR-PD vazhdon të mbetet jashtë pragut zgjedhor me 4.99% të votave të fituara. /kp/Telegrafi/

Exit mobile version