Zjarri në objektin në lagjen Çair të Shkupit, i cili shpërtheu dje, është ende aktiv. Aktualisht në terren janë tri vetura zjarrfikëse të Brigadës Territoriale të Zjarrfikësve të Qytetit të Shkupit, njoftoi sot Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK).
QKM-ja rikujton se dje nga ora 01:50 20 zjarrfikës me shtatë makina zjarrfikëse kanë shuar zjarrin në Çair për shkak të djegies së depove në rrugën “Prohor Pçinski” në bodrumin e objektit.
“Zjarri është përhapur në një banesë, në dyqane përdhese dhe ka pasur tym të zi shumë të dendur, për këtë arsye janë evakuuar dhjetëra banorë të ndërtesës. Në orën 14:25, Urgjenca Mjekësore ka njoftuar se ka dhënë ndihmën e parë për 10 fëmijë, 21 të rritur, një zjarrfikëse dhe një grua shtatzënë. Po ashtu, në ndihmë të zjarrfikësve të Qytetit të Shkupit ka mbërritur edhe një veturë speciale zjarrfikëse e Ushtrisë”, thuhet në njoftimin e QMK-së.