Telegrafi

QMK: Aktualisht ka tetë zjarre aktive, situata po ndryshon nga minuta në minutë

Deri në orën 14 sot në territorin e vendit kishte gjithsej 20 zjarre, prej të cilave tetë janë aktive, dhjetë janë shuar dhe dy janë nën kontroll.

Drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza (QMK), Stojançe Angelov përmes një video deklarate ka bërë të ditur se situata ndryshon nga minuta në minutë.

“Sot po zhvillojmë një betejë të ashpër me zjarrin në territorin e komunës Makedonski Brod në drejtim të vendit për gjueti ‘Jasen’, që po vazhdon prej disa ditësh. Si mbështetje të zjarrfikësve vendorë, sot dërguam edhe 25 pjesëtarë të Njësitit për sistemim të shpejtë të MPB-së, si dhe 30 pjesëtarë të ARM-së. Njëkohësisht, në vendin e këtij zjarr gjatë mëngjesit të sotëm po punonin edhe tre ‘er traktorë’ të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim. Fatkeqësisht, në disa vende digjet pyll cilësor me pisha”, kumtoi Angelov.

Sipas tij, zjarr të fortë ka në territorin e komunës së Koçanit, në atarin e fshatit Gllavovicë. Në mëngjes kanë ndërhyrë dy helikopterë (një i policisë dhe një i armatës).

Aktiv është dhe zjarri në pyllin Ilinska në territorin e Demir Hisarit, ku paradite kanë vepruar tre “er traktorë” të DMSH-së, katër zjarrrfikës lokalë dhe 22 punonjës të NP “Pyjet kombëtare”. Po shfrytëzohen gjithashtu dhe makinat e ndërtimit për të bërë të ashtuquajturin prerje kundër zjarreve, gjegjësisht rripa.

Zjarri i katërt është në territorin e komunës së Prilepit, i cili ka shpërthyer pasditen e sotme dhe aktualisht gjendet në atarin e fshatit Radobil.

Serioz dhe tejet i vështirë për t’u shuar, sipas QMK-së, është edhe zjarri në territorin e komunës Nagoriçani Vjetër, tek fshati Malotino, ku përveç zjarrfikësve vendas, marrin pjesë edhe katër persona nga “Pyjet kombëtare”.

Zjarr ka edhe në territorin e Manastirit tek fshati Bratin doll, ku digjet bar i thatë dhe në çdo moment pritet të shuhet.

Zjarr ka shpërthyer edhe në territorin e komunës së Gazi Babës në Idrizovë në afërsi të fabrikës “Pilko”, ku vepron Brigada Zjarrfikëse e Shkupit.

Një tjetër zjarr më i rëndë ka në territorin e komunës së Likovës te fshati Nikushtak, ku momentalisht po digjet një deponi, por ekziston rreziku që ai të përhapet në bimësi lokale.

Nën kontroll është zjarri në malin Serta në pjesën e poshtme afër Shtipit dhe zjarri në Dellçevë, ku digjej një deponi.

Angelov u bën apel të gjithë qytetarëve që kanë vila apo shtëpi në fshatra gjysmë të braktisura apo të braktisura, që të krijojnë të ashtuquajturin brez të butë rreth shtëpive të tyre verore, sepse, siç tha ai, në këtë moment tashmë ekziston rreziku që disa shtëpi të vjetra në disa fshatra të Maqedonisë së Veriut të kaplohen nga zjarri.