Site icon Telegrafi

QKUK thotë se është hequr lista e pritjes për Scintigrafi

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës ka bërë të ditur se është hequr Lista e Pritjes për Scintigrafi në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pas vendimit për shërbim 24 orësh.

Scintigrafia është një lloj i veçantë i procedurës së mjekësisë nukleare që përdor sasi të vogla të materialit radioaktiv për të diagnostikuar dhe vlerësuar seriozitetin e një sërë sëmundjesh, duke filluar nga ato të skeletit, zemrës, mushkërive, mëlçive etj.

Në këtë drejtim, siç thuhet në një njoftim, Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar po angazhohen, në mënyrë që gjatë vitit 2019 të hiqen listat e pritjes edhe për shërbimet tjera që ofrohen në QKUK.

Drejtori i Shërbimit Klinik të Njësisë Nukleare, Fakir Spahiu, ka thënë se me miratimin kujdestarive, pacientët marrin shërbimin brenda një jave.

“Pas miratimit të kujdestarive, në bashkëpunim me drejtorin e Përgjithshëm të SHSKUK-së, kemi marrë vendim që nga 1 dhjetori i vitit 2018, të fillojmë me shërbimin e kujdestarisë dhe për tre muaj e kemi hequr listën e pritjes”.

“Domethënë listë të pritjes në Shërbimin Klinik të Njësisë Nukleare nuk ka. Shërbimet e të gjitha scintigrafive që kërkohen, ne i kryejmë brenda një jave”, thotë Spahiu.

Gjatë muajit janar, pas heqjes së listës së pritjes, në QKUK janë kryer 85 scintigrafi të eshtrave, 12 të veshkave, 5 të mushkërive dhe 80 të gjëndrës tiroide.

Po sipas njoftimit, në bazë të raportit të punës, vetëm gjatë kujdestarive, për një muaj, janë ofruar 197 shërbime të scintigrafisë. /Telegrafi/

Exit mobile version