Zyra e Drejtorit të Përgjithshëm e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar e Kosovës përmes një njoftimi për media thotë se të gjitha sallat e operacionit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përfshirë edhe Klinikën e Urologjisë kanë punuar dhe po punojnë me kapacitete të plota, pas furnizimit me sasi të bollshme të anestetikëve nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.
Bazuar në informatat nga drejtoria e Klinikës së Anestezionit dhe Mjekimit Intensiv, por edhe nga drejtoria e Klinikës së Urologjisë, të gjitha sallat e operacionit kanë punuar me kapacitet të plotë.
“Protokollet- evidencat e sallave të operacionit në Urologji, vërtetojnë se janë kryer të gjitha operacionet e planifikuara dhe ato urgjente. Gjithsej vetëm dy javët e kaluar janë kryer 39 operacione me anestezion të përgjithshëm dhe nuk ka dështuar asnjë operacion”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, barnatorja qendrore QKUK- SHSKUK konfirmon se të gjitha klinikat dhe Spitalet e Përgjithshme janë të mbuluar për tre muajt e ardhshëm në sasi të mjaftueshme me anestetikë të nevojshëm për sallat e operacionit.
Ndryshe, mediat sot kanë raportuar se janë anuluar operacionet në Klinikën e Urologjisë në mungesë të barnave. /Telegrafi/