Site icon Telegrafi

QKUK: Rast i rrallë, pacientit 27-vjeçar i shpëtohet parakrahu i prerë

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), ka njoftuar se në Klinikën Emergjente të QKUK-së është kryer me sukses një operacion shumë i rrallë dhe i ndjeshëm dhe për herë të parë në Kosovë.

Sipas njoftimit, në momentin e pranimit në Klinikën Emergjente, pacienti e kishte pothuajse të amputuar (prerë) komplet parakrahun e majtë, gjatë punës së tij me fleks, në vendin e tij të punës.

“Mjekët kirurgë, me punë ekipore, (ekipi i Kirurgjisë Vaskulare që e udhëhoqi operimin, ekipi i Klinikës së Ortopedisë, Kirurgjisë Plastike dhe Rekonstruktive dhe dhe Neurokirurgjisë), bashkë me anesteziologë dhe pjesën tjetër të ekipit operativ,  kanë kryer operimin tek një pacient i moshës 27 vjeç, duke i realizuar dy bypasse (urëzime), në pjesën më distale të arteries radiale dhe ulnare, (arterie që ushqejnë dorën me gjak)”, thuhet në komunikatën për media.

S”i graft për rekostrukcion të arterieve të lëndura, ekipa përdori venën sipërfaqësore të pacientit; (Vena saphena magna). Po ashtu, ekipa operative, kishte përkujdesur dy venat radiale dhe ulnare dhe kishte bërë hemostazë korrekte”.

Tutje, bëhet e ditur se ekipi i orotopedëve ka bërë fiksimin e të gjitha kockave të prera, ekipi i Kirurgjisë Plastike ka bërë qepjen e muskujve dhe të tendinave, ndërsa ekipi i Neurokirurgjisë një pjesë të qepjes së nervave do ta bëjë pas katër jave.

“Pas operacionit janë kryer ekzaminimet kontrolluese, ku është konstatuar se intervenimi kirurgjik ishte kryer me sukses dhe pacienti pas 14 ditë hospitalizimi, sot është  liruar për në shtëpi, në gjendje të mirë shëndetësore”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/

Exit mobile version