Site icon Telegrafi

QKUK: Nuk ka rrezikim të pacientëve në mjekësi sportive, furnizimi me oksigjen në klinika është stabil

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), përmes një njoftimi për media ka thënë se nuk ka probleme dhe rënie të sasisë së furnizimit me oksigjen në objektin e Mjekësisë Sportive ku po trajtohen pacientët me COVID-19.

QKUK thekson se ky objekt është nën monitorim dhe mbikëqyrje të vazhdueshme nga ekipet e sektorit teknik dhe nuk ka pasur rrezikim të jetës së pacientëve, transmeton Telegrafi.

“Në lidhje me raportimet e disa medieve se ka pasur probleme dhe rënie të sasisë së furnizimit me oksigjen në Objektin e Mjekësisë Sportive, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, njofton se furnizimi me oksigjen në klinikat e QKUK-së, përfshirë edhe këtë objekt është nën monitorim dhe mbikëqyrje të vazhdueshme nga ekipet e sektorit teknik dhe nuk ka pasur rrezikim të jetës së pacientëve”, thuhet në njoftim.

Më tej, SHSKUK kërkon nga mediet që të jenë të kujdesshme në raportimet e tyre në lidhje më këtë çështje dhe mos të krijohet panik në opinion.

“SHSKUK siguron qytetarët se ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për trajtim profesional të pacientëve me COVID-19 dhe furnizimi me oksigjen në klinika është stabil”, vijon njoftimi.

Ky reagim i QKUK-së vjen pas raportimeve të disa medieve që në mjekësinë sportive ka rënie të oksigjenit dhe se po rrezikohen pacientët që po trajtohen nga COVID-19.

Ndryshe, numri total i personave të infektuar me coronavirus në Kosovë ka arritur në 3 mijë 886 raste, 2 mijë e 3 persona janë shëruar kurse janë regjistruar edhe 82 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje tjera shoqëruese./Telegrafi/

Exit mobile version