Telegrafi

QKUK: Në spitale janë të shtrirë 550 pacientë me coronavirus

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, ka njoftuar se aktualisht janë duke u trajtuar 550 pacientë me COVID-19.

Sipas njoftimit, në klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe në spitalet e përgjithshme janë duke u trajtuar 550 pacientë të dyshuar dhe konfirmuar me COVID-19. Prej tyre, 286 janë të konfirmuar si COVID-19 pozitiv, transmeton Telegrafi.

Sipas raporteve nga klinikat dhe spitalet e përgjithshme 14 pacientë janë në gjendje të rëndë me 14 respiratorë, e po ashtu 32 të tjerë me CPAP, që po ashtu janë me gjendje të rëndë shëndetësore.

Në Spitalin e Pejës janë duke u trajtuar 59 pacientë, në Spitalin e Gjakovës 56 pacientë, në Spitalin e Pejës 70 pacientë, në Spitalin e Ferizajt 39 pacientë, në Spitalin e Gjilanit 48 pacientë dhe në Spitalin e Vushtrrisë 31 pacientë.

Ndryshe, numri i personave të infektuar me COVID-19 në Kosovë ka arritur në 6 mijë e 286, prej tyre janë shëruar 3 mijë e 369, ndërsa janë regjistruar edhe 150 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Aktualisht raste aktive me COVID-19 janë 2 mijë 762. /Telegrafi/