Site icon Telegrafi

QKUK: Në Kirurgjinë Torakale një profesor i huaj po aplikon një metodë të re të operacioneve

Në Qendrën Klinike Universitare po qëndron doktor Diego Gonzalez Rivas, i cili  po aplikon metodën më të re të operimeve me një portë, një ndërhyrje në kraharor te resekcionet pulmonare për sëmundjet kirurgjike të mushkërive.

Në njoftimin për media të QKUK-së thuhet se Rivas po viziton Kosovën, si pjesë e një turi disa ditor në vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe në kuadër të programit të avancuar Uniportal Port, bashkë me ekipin mjekësor nga Klinika e Kirurgjisë Torakale, do  të kryejnë sot tri operime.

Duke folur për metodën e operimit Wats Uniportal, Rivas theksoi se kjo ndërhyrje kirurgjike shoqërohet me pak dhimbje dhe pacienti kurohet shumë shpejt.

“Ne do të bëjmë një operim me një vrimë të vogël, meterokoskop, do të bëjmë një lob të  poshtëm të majtë dhe një lob lart në të djathtë , I cili  shkakton shumë pak gjakderdhje, shumë pak dhimbje dhe pacienti shumë shpejt shërohet e lirohet në shtëpi”, tha Rivas.

Aplikimi i kësaj metode ka për synim që ta ngritë standardin profesional të punës në klinikat e QKUK-së, respektivisht që kirurgët e Kirurgjisë Torakale të zotërojnë procedurat më moderne të trajtimit të sëmundjeve kirurgjike.

Drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Torakale, Saudin Maliqi, tha se ardhja e Rivas në Kosovë është historike për Qendrën Klinike Universitare.

“Ardhja e tyre është moment historik për ne, është një ndodhi shumë e madhe. Ardhja e këtij ekipi është e aranzhuar dhe ne kemi aplikuar  para një viti. Kemi bërë shumë përpjekje për ta sjell atë në Kosovë”, deklaroi Maliqi.

Rivas mbajti një ligjëratë të enjten në Qendrën Kombëtare të Telemjekësisë, ku ishin të lidhura edhe qendrat rajonale si: Shkupi dhe Tirana. /Telegrafi/

Exit mobile version