Pediatri Bardhyl Abrashi është dënuar nga Komisioni Disiplinor i QKUK-së me masën disiplinore “Vërejtje me shkrim”, pasi kishte penguar ekipin e gazetës “Zëri” në kryerje të detyrës në repartin e hematologjisë.
Ai kishte urdhëruar sigurimin e QKUK-së që të nxjerrë jashtë gazetarët që gjendeshin aty për reportazh, ndonëse ata për këtë kishin leje nga menaxhmenti i Spitalit.
“Komisioni Disiplinor pas vlerësimit të secilës provë, veç e veç, gjeti se Bardhyl Abrashi ka urdhëruar punëtorët e sigurimit, Adnan Berisha dhe Ragip Bahtiri, që t’i nxjerrin jashtë gazetarët edhe pse e kishin lejen nga drejtori i përgjithshëm i QKUK-së”, thuhet në arsyetimin e vendimit të Komisionit Disiplinor të QKUK-së.
“Komisioni gjeti prova që vërteton se Bardhyl Abrashin e bëjnë fajtor për veprimin e tij, pasi i njëjti nuk është dashur të ndërhyj në këtë çështje”, thuhet në vendimin e Komisionit Disiplinor të QKUK-së. /Zëri/