Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës njofton se mjekët dhe infermierët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës kanë shpëtuar dorën e një pacienti nga Suhareka, i cili kishte pësuar lëndim të rëndë të krahut (gjymtyrës) së sipërme të majtë.
Në njoftim bëhet e ditur se pacienti fillimisht ishte sjellë nga Suhareka në Klinikën Emergjente ku kishte marrë ndihmën emergjente mjekësore nga mjekët dhe stafi infermieror.
“Më pastaj, ekipi kujdestar i mjekëve në përbërje të kirurgut vaskular, anesteziologut, kirurgëve plastik dhe stafit infermieror hynë në operacion delikat që kishte zgjatur me orë të tëra. Ekipi mjekësor arrit ta riaftësoi gjymtyrën – krahun e pacientit, i cili tani ka dorën e gjallë, me vaskularizim, të inervuar dhe të lëvizshme”, thuhet në njoftimin për media.
Tutje bëhet e ditur se pacienti kishte shkuar me të gjitha sistemet (sistemi neurovaskular, i muskulor dhe ai i tetivave) të shkëputura nga vazhdimësia, me një defekt të madh të lëkurës.
“Ndërsa, lëndimi i strukturave ishte në nyjen radiokarpale (kyçi i dorës) aty ku edhe kalibri i enëve të gjakut është milimetrik, e të cilat fillojnë të futen në shuplakë dhe kjo e vështirësoi në masë të madhe shpëtimin e ekstremitetit tek pacienti, por rrezikoi dhe jetën e tij”.
“Lëndimet e tilla – amputimet traumatike, në literaturë janë të shoqëruara me shkallë të vdekshmërisë prej 72%, ndërsa humbjet e ekstremiteteve janë me përqindje të lartë, mbi 90%”./Telegrafi/