Ekipi i Shërbimit të Kardiokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka filluar aplikimin e metodave minimale invazive për zëvendësimin e valvulave të zemrës.
Për herë të parë në QKUK tek pacienti i moshës 57 vjeçare me stenozë dhe insuficiencë të valvules aortale, përmes një incizoni prej 5 cm dhe mini-sternotomi është realizuar ndërrimi i valvules aortale me valvulë mekanike aortale.
“Operimet e tilla mundësojnë që prej një incizioni minimal dhe hapje minimale të sternumit të realizohet ndërrimi i valvulave të zemrës dhe realizohen edhe nëpër qendra të mëdha kardiokirurgjike. Për realizimin e tyre kërkohet eksperiencë, mjete teknike dhe staf i përgatitur”, thuhet në njoftim.
Benefitet nga kardiokirurgjia minimale invazive janë: më pak humbje e gjakut, risk i ulur për infeksion, më pak traumë dhe më pak dhembje, kohë e shkurtër e shtrimit në spital, përmirësim i shpejtë i shëndetit dhe kthim i shpejtë në aktivitete normale, prerje të vogël dhe vraga minimale.
“Kardiokirurgjia në QKUK vazhdon të realizoj inovacione në fushën e Kardiokirurgjisë, duke kursyer para të buxhetit të Republikës së Kosovës për trajtime jashtë vendit”, thuhet në njoftimin e QKUK-së. /Telegrafi/
Me respekt,