Në ambiente me lagështi e ndryshk, laborantët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) kryejnë mijëra analiza në ditë – të gjakut, të pështymës, të urinës e të tjera.
Inventari i dëmtuar dhe mungesa e ventilimit ua vështirësojnë punën edhe më shumë, edhe pse aparaturat janë kryesisht të reja.
“Nuk kemi as ku t’i vendosim mostrat për analiza. Jemi shumë ngushtë”, thotë një infermiere e laboratorit të Internes në Klinikën e Biokimisë, që nuk do të identifikohet.
Biokimia ka nën menaxhim 12 laboratorë që janë të shpërndarë në klinika të ndryshme të QKUK-së.
REL-i vizitoi disa nga ta – në Klinikën e Pediatrisë, të Infektives, të Dermatologjisë e të tjera.
Në Pulmologji pa se laboratori ishte improvizuar në një korridor, ndërsa frigoriferi ku ruheshin mostrat ishte i vogël dhe i ndryshkur.
Në Pediatri, përveç aparaturës për analiza që është e re, ambienti i punës dhe inventari duken tejet të vjetër.
“Shpesh, në hapësirat e ngushta ku punojmë, jemi tre ose më shumë teknikë e laborantë”, thotë një punonjëse e laboratorit aty.
Në laboratorin e Emergjencës, mungesa e hapësirave bën bashkë epruvetat, dokumentet e papuçet e stafit.
Ndërsa në Infektive, dollapi ku ruhen dokumente, duket se mezi qëndron.
Për shkak të kushteve të këqija, Klinika e Kardiologjisë ka më shumë se nëntë muaj që e ka zhvendosur laboratorin e saj në Klinikën e Biokimisë.
Në Kardiologji merren vetëm mostrat, ndërsa në Biokimi kryhen analizat.
Një infermiere thotë se stafit i duhet të endet dhjetëra herë në ditë në mes të dy klinikave.
Drejtori i Klinikës së Biokimisë, Shemsi Veseli, thotë se të gjithë laboratorët “janë lënë nën mëshirën e kohës”.
“Në shumicën e tyre nuk ka ventilim, nuk ka ndriçim e nuk duhet të ketë as lagështi… Unë e kuptoj se nuk mund të ketë investime të shpejta e të shtrenjta, por inventarë duhet të kemi, tavolina e karrige”, thotë Veseli për Radion Evropa e Lirë.
Dy lavamanë pa rubinetë dhe pa sapun, të vendosur pranë tavolinave të punës së laborantëve në Klinikën e Kirurgjisë
Pavarësisht kushteve të tilla prej vitesh, Veseli siguron se rezultatet e analizave janë gjithmonë të sakta.
“Ato nuk mund t’i kontestojë askush, faktet flasin. Vitin e kaluar kemi pasur mbi dy milionë analiza”, thotë Veseli.
Këtij pohimi i bëjnë jehonë edhe në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK), i cili ka nën përgjegjësi QKUK-në dhe spitalet rajonale.
Sipas drejtorit Elvir Azizi, në të gjitha këto institucione “analizat janë të sakta dhe të besueshme”.
Sa u përket kushteve të punës, Azizi thotë se është duke u punuar për përmirësimin e tyre.
“Së pari jemi duke punuar në centralizmin e laboratorëve, në mënyrë që infermierët të mos lëvizin me mostra nga klinika në klinikë. Pra, do të kemi sistem të ri për bartjen e mostrave”, thotë ai.
Azizi tregon, po ashtu, se është formuar një komision që është duke i identifikuar hapësirat e reja për laboratorë.
“Në secilën klinikë do të ketë ndarje për ta”, thotë drejtori i SHSKUK-së.
REL-i pyeti Inspektoratin Shëndetësor të Kosovës, i cili funksionin nën Ministrinë e Shëndetësisë, se si e vlerëson gjendjen në laboratorët e QKUK-së, por ai nuk ktheu përgjigje konkrete.“Varësisht gjetjeve, jepen edhe rekomandimet – gjithmonë konform kompetencave dhe dispozitave ligjore në fuqi”, thuhet në përgjigje.
Kushtet e këqija në laboratorët e QKUK-së nuk janë të izoluara.
REL-i raportoi në muajin mars për situatë të ngjashme në gjithë Klinikën e Psikiatrisë.
Problemet me aparaturat dhe pritjet e gjata për shërbime janë po ashtu sfida që e përcjellin punën e QKUK-së./Radio Evropa e Lirë/