Telegrafi

QKUK: Ekipi i mjekëve nga Australia dhe Kosova po operojnë 27 fëmijë

Nga data 30 qershor deri më 7 korrik në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve në QKU po qëndron një ekip i mjekëve nga Australia.

Në vazhdën e vizitës së radhës nga  profesorët nga Australia dhe ekipi i mjekëve nga Kirurgjia e Fëmijëve,  në udhëheqjen e Prof. Dr Nexhmi Hysenit, janë bërë 49 vizita të fëmijëve me anomali kongjenitale shumë të komplikuara.

“Pas vizitave mjekësore janë përzgjedhur për intervenim kirurgjik 7 fëmijë, deri tani janë kryer 13 operacione komplekse, përderisa deri të premten pritet të kryhen edhe 14 operacione. Ekipi i mjekëve po punon gjatë gjithë ditës, deri në orët e vona të natës, në mënyrë që të gjithë fëmijët që kanë nevojë për operacion të kenë mundësi të marrin këtë shërbim” thuhet në njoftim.

Duke ju falënderuar prof. Pady  Dewanit dhe ekipit vendor, organizatës ‘Kind Cuts for Kids’ dhe komunitetit shqiptar në Melburn të Australisë,  është  shpëtuar buxheti i dedikuar për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore në vlerë 530 000 euro.

“Bashkëpunimi i ngushtë i këtij lloji me prof nga Australia ka nisur nga viti  2010 dhe ka dhënë rezultate të shkëlqyeshme post- operative, duke pasur një rëndësi të madhe edhe në edukimin profesional të vazhdueshëm të mjekëve”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/