Drejtori për Farmaci brenda këtij institucioni, Adnan Bozalija, ka folur lidhur me këto probleme, të cilat, sipas tij, janë pasojë e moskomunikimit të profesionistëve mes vete brenda këtij institucioni shëndetësor. “Ka muaj të tërë që nuk është bërë revidimi i listës esenciale për nivelin terciar, gjë të cilën unë e kam kërkuar si përgjegjës për farmaci”, ka thënë Bozalija për gazetën Koha Ditore.
Sipas tij, mosrevidimi i listës nga personat përgjegjës dhe profesionalë vazhdon të krijojë probleme të vazhdueshme në funksionimin dhe zhvillimin e punës në QKU. Bozalija bën të ditur se shqetësimet e tij ia ka bërë të ditur nëpërmjet një shkrese zyrtare edhe u.d. të drejtorit ekzekutiv të QKUK-së, Lulzim Emini, por ai, sipas tij, përveç që nuk ka kthyer përgjigje, nuk ka ndërmarrë asgjë për evitimin e tyre.
Si shembull për këtë Bozalija ka përmendur blerjen e penjve kirurgjikë në vlerë prej tre milionë eurosh të buxhetit, e që kanë mbetur në stoqe, sepse kirurgët nuk mund t’i përdorin ata. Ai ka theksuar se Emini nuk ka shprehur asnjëherë gatishmëri për të reaguar lidhur me këto çështje, ndonëse ka qenë i informuar rreth tyre. Bozalija, në anën tjetër, ka konfirmuar edhe një akuzë të dhënë nga disa punonjës të Barnatores Qendrore se drejtoresha e saj, Enkelejda Gjonbalaj, ua ka ndaluar atyre komunikimin me të, si drejtor për Farmaci, ndonëse ky sektor i QKUK-së për gjithçka është i obliguar të informojë dhe të konsultojë drejtorin për Farmaci, i cili është i vendosur aty enkas për këtë gjë.
Sipas tij, këto sjellje në raste të caktuara kanë ndikuar direkt edhe në buxhetin e Kosovës, sepse porositë për blerjen e barnave për QKUK-në janë bërë gabimisht, dhe si pasojë kanë përfunduar në stoqe.
Punëtorët e Barnatores që kanë guxuar t’i shkruajnë Eminit nuk kanë pranuar të komentojnë letrën e tyre për gazetën, duke kërkuar që të mos u përmenden as emrat. Por, as dy protagonistët e këtyre akuzave nuk kanë dashur të prononcohen për gazetën.
Enkelejda Gjonbalaj ka thënë se “nuk ka asnjë lloj komenti, sidomos për gazetarë”. “Ju mund t’i drejtoheni ushtruesit të detyrës së drejtorit ekzekutiv për gjithçka”, ka thënë ajo.
Kurse Lulzim Emini nuk ka pranuar të flasë me arsyetimin se është shumë i zënë, ndonëse gazeta është munduar të kontaktonte me të disa ditë rresht. /Telegrafi/