Site icon Telegrafi

QKUK bëhet me pajisje të reja në vlerë 3.5 milionë euro (Foto)

Nga sot Qendra Klinike Universitare e Kosovës do të ofrojë më shumë shërbime mjekësore dhe më kualitative.

Krejt  kjo pasi që sot Ministria e Shëndetësisë i ka dorëzuar këtij institucioni mjekësor pajisje me vlerë 3.5 milionë euro.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili shpreh se këto pajisje mundësojnë që pacientëve t’u ofrohen shërbime të reja dhe kualitative.

Sipas tij këto pajisjet që Ministrisë së Shëndetësisë i kanë kushtuar 3.5 milionë euro do e ndryshojnë gjendjen në QKU.

“Jemi duke parë një mobilizim të shërbimeve me marrjen e pajisjeve të  reja të cilat nuk kanë ekzistuar ose iu kanë munguar për një kohë shumë të gjatë SHSKUK-së dhe QKUK-së. Ne kemi parë se sa herë është përball qytetari me shërbim shëndetësor kanë ndodhur dy gjëra: mjekët nuk kanë arritur t’i japin shërbimin kualitativ, dhe e dyta po ashtu në mungesë të shërbimit kualitativ në institucionet publike qytetari është dashur të paguaj vetë për të marr ato. Duke marr pajisje të reja ne po kemi mundësi që t’i ofrojmë qytetarëve çdo ditë e më shumë shërbimet të cilat nuk kanë qenë më herët”, tha Ismaili.

E drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu u shpreh se pajisjet që sot i dhurohen QKUK-së kanë qenë shumë të domosdoshme për funksionalizimin e të gjitha klinikave.

Sipas tij, këto pajisjet që lehtësojnë dhe përmirësojnë shërbimet mjekësore janë përzgjedhur nga vetë stafi mjekësor.

“Me këto pajisje bëhet shumë më e lehtë edhe puna, njëkohësisht edhe pacienti të fitoj shërbime shumë më kualitative shumë më profesionale dhe çka është edhe më e rëndësishme gjithmonë vlen të ceket që kursehet edhe xhepi i pacientit, njëkohësisht edhe buxheti i ministrisë së Shëndetësisë dhe i SHSKUK-së duke u munduar që të gjitha patologjitë me këto pajisje të trajtohen brenda institucioneve publike gjë që është edhe një politikë për të ardhmen, do thotë që maksimalisht të mundohemi që të gjitha sëmundjet, të gjitha nevojat e pacientëve t’i trajtojmë brenda”, tha Sejdiu.

Ndryshe, gjatë dorëzimit të  pajisjeve të reja mjekësore për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës u bë e ditur se dorëzimi  i tyre është i ndarë në dy faza, dhe kjo është faza  e parë e blerjes.

Exit mobile version