Site icon Telegrafi

QKSS me udhëzues për gazetarët për raportimin e ekstremizmit

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka publikuar udhëzuesin për gazetarët “Ekstremizmi i dhunshëm dhe mediat”, i cili do t’iu shërbej mediave dhe gazetarëve për të kuptuar me shumë rreth termeve që organizatat terroriste përdorin për të shpërndarë propagandë përmes komunikimit.

Ky udhëzues ka dal pas projektit: “Luftimi i ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit nëpërmjet komunikimit”, i cili është mbështetur nga Ambasada amerikane në Prishtinë.

Udhëzuesi, trajton afërsisht 50 terminologji kryesore, pas monitorimit të aktiviteteve të organizatave terroriste, diskursit të tyre se si kanë e dhënë mesazhin, se si kanë tentuar të komunikojnë me masën e gjerë.

Po ashtu, ku udhëzuesi trajton edhe kornizën ligjore që ka Kosova për luftimin e ekstremizmit, radikalizmit dhe terrorizmit.

Skënder Perteshi, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, i cili është edhe autor i udhëzuesit, tha se kjo ka qenë nevojë e mediave se si të raportojnë për rastet e ekstremizmit të dhunshëm.

Sipas tij, grupet terroriste kanë përdorur mediat dhe rrjetet sociale për të ndikuar të qytetarët.

“Në rastin e Kosovës mediat ballafaqohen me shumë sfida, qoftë për shkak të mungesës së financave, qoftë për shkak të mungesës së gazetarëve apo profilizimit të gazetarëve që ndjekin tema të caktuara. Ka raste kur një gazetar, shembull, hulumton tema qoftë politike, qoftë të sigurisë apo tema tjera dhe i ka munguar ai profili apo kuptimi i saktë i fenomenit. Pikërisht ky dokument do t’iu ndihmoj këtyre mediave që raportojnë me çështje të caktuar, atëherë të paktën t’i kenë terminologjitë bazike që tregojnë çka një term i caktuar tregon në aspektin religjioz dhe si duhet të përdorët qoftë nga mediat apo tjerët”, tha Perteshi.

Gazetarët e kanë mirëpritur këtë udhëzues, duke thënë se do t’iu hyjë në punë shumë. Gazetari i Klan Kosova, Dibran Istrefi, e ka quajtur më se të duhur këtë udhëzues, meqë trajtimi dhe raportimi për ekstremizmin e dhunshëm është shumë i komplikuar.

“Kur kemi nis të raportojmë intensivisht për punën e ekstremizmit të dhunshëm qysh atëherë është shfaqur, unë personalisht kam raportuar prej fushës së sigurisë dhe drejtësisë një kohë të gjatë, por nuk ka sferë më të komplikuar se sa ekstremizmi i dhunshëm që të raportohet për të. Me kujtohet storia e parë kur e kam bërë për këtë temë kanë qenë për disa shtëpi xhamia në Dragash dhe pasi e publikuam storien kanë qenë diku 20 apo 30 komente në rrjete sociale, krejt këto termet që unë asnjë si kam ditur çka janë”, theksoi ai.

Ndërsa, shefi i sektorit për diplomaci dhe marrëdhënie me publikun në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Richard Mei, ka theksuar se mediat dhe shoqëria civile kanë nevojë për njëra- tjetrën që ta luftojnë, pse jo edhe ta parandalojnë ekstremizmin e dhunshëm.

“Mediat si burim i besueshëm janë njëra nga mënyrat me të mira për t’u përballë dhe trajtuar këtë çështje në gjithë vendin. Si gazetar dhe mediat kjo luan një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm për ta trajtuar ekstremizmin. Gazetaria hulumtuese në kontestin tuaj në komunitetet lokale, qoftë në polici, përmes policisë, nëpër xhami kur flitet me imamët, mësuesit, me prindërit keni mjete për të gjetur informacione dhe për t’i shkëmbyer ato në mënyrë që t’i ndihmoni njëri tjetrit që ta trajtoj situata që mund të qojnë në probleme të mëdha”, tha Mei.

Përfaqësues të institucioneve të vendit theksuan se janë marrë seriozisht me këtë dukuri, ani pse puna ende nuk ka përfunduar.

Koordinatori nacional për luftimin e ekstremizmit, radikalizmit dhe terrorizmit, pranë zyrës së kryeministrit, Lulzim Fushtica, tha se ata tanimë janë duke zbatuar strategjinë për luftimin e ekstremizmit, radikalizmit dhe terrorizmit, të miratuar në vitin 2015.

“E shoh punën dhe rolin e mediave si një shtyllë shumë të rëndësishme në implementimin e strategjisë që e ka miratuar Qeveria e Kosovës në vitin 2015. Ne si Qeveri dhe si zyrë për implementimin e kësaj strategjie është e paraparë me planin e punës, hartimi i dokumentit strategjik për komunikim, dhe jemi në vazhdën e përgatitjes së këtij dokumenti strategjik me ndihmën e partnerëve ndërkombëtar”, u shpreh Fushtica.

Edhe anëtari i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, Rexhep Selimi, theksoi se Kuvendi është përpjekur ta luaj rolin e tij në luftën kundër radikalizmit dhe terrorizmit.

“Zhvillimi dhe teknologjia që ka të bëjë me median është shumë i madh dhe është goxha i zorshëm që të mbahet nën kontroll të atyre që duan ta mbajnë në kuptimin pozitiv. Por nganjëherë vija ndarëse në mes medias si urë e përcjelljes së mesazhit dhe medias si ta quaj në kuptimin pozitiv, ta quaj si një lloj filtri të një mesazhi për ta prezantuar si një mesazh jo siç e ka dashur ai, por si një mesazh, lajm të keq, vija ndarëse ka qenë shumë e zbehtë nganjëherë. Kështu që ky doracak shpresoj ta ndihmoj shumë këtë”, theksoi Selimi.

Selimi përmendi edhe presionin që kanë pasur mediat por edhe institucionet me rastin e shqyrtimit të Projektligjit për Zhurmën, e cila është parë si tentim për ta ndalë ezanin në xhamitë në Kosovë.

Sipas këtij udhëzuesi, nga viti 2012 deri më tani, rreth 403 qytetarë të Kosovës kanë udhëtuar në vatrat e luftës në Siri dhe Irak. Ndërsa, prej tyre 75 raportohet se kanë humbur jetën në këto vende.

Deri më tani, nga Iraku dhe Siria janë kthyer 130 qytetarë, ndërsa, sipas këtij udhëzuesi besohet se në vatrat e luftës janë ende afërisht 140 deri 150 qytetarë të Kosovës. /KP/

Exit mobile version