Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka reaguar pas tragjedisë që ndodhi në Prizren, ku si pasojë e shembjes së një shtëpie, ka humbur jetën një vajzë e moshës tri vjeçare.
QKSS thekson se derisa autoritetet lokale dhe qendrore të shtetit dështojnë t’i përmbushin obligimet ligjore që të garantojnë ambient të sigurt për qytetarët e tyre, do të përballemi me raste si ky i sotëm që më të vërtetë nuk mund të quhet ndryshe veç se tragjedi.
Zëdhënësja e QKSS-së, Leonora Aliu në rrjetin social facebook, ka shkruar se gjetjet e edicionit special të barometrit për siguri publike të QKSS, patën treguar se qytetarët e Kosovës nuk ndihen plotësisht të sigurt jashtë territoreve të shtëpive apo lagjeve ku jetojnë.
Kjo sipas Aliut po dëshmohet edhe me ngjarjen tragjike në Prizren.
“Kur autoritetet lokale dhe qendrore të shtetit dështojnë t’i përmbushin obligimet ligjore që të garantojnë ambient të sigurt për qytetarët e tyre, atëherë do të përballemi me raste si ky i sotëm që më të vërtetë nuk mund të quhet ndryshe veç se tragjedi. Humb ja e jetës së një fëmiu nuk duhet heshtur assesi pa gjetur përgjegjësit”, thuhet në reagimin e Aliut.
Ajo ka shtuar se akoma më tragjedi është fakti se u desh të ndodhte kjo në mënyrë që autoriteteve përgjegjëse t’i hapin sytë.
Ndryshe, zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Prizreni, Vesel Gashi tha se vajza tre vjeçare ishte dërguar e vdekur në Spitalin e Prizrenit.
“Prindërit e kanë dërguar në emergjencë, mirëpo mjekët e kanë konstatuar vdekjen e saj”, tha Veseli.