Telegrafi

QKRMT: Të hetohen rrethanat e vdekjes së 26 vjeçarit në Qendrën e Studentëve

Foto: Arkiv

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të mbijetuarve të Torturës kërkon nga të gjitha hallkat e institucioneve përgjegjëse që me prioritet t’i hetojnë rrethanat e vdekjes së 26 vjeçarit në Qendrën e Studentëve.

QKRMT thekson se thekson se përgjegjësia institucionale në parandalimin e pandemisë, njëkohësisht është edhe përgjegjësi e dyfishtë për sigurimin e jetës së të karantinuarve përtej rreziqeve pandemike.

Lexo po ashtu Vdes një person pasi u hodh nga kati i katërt i konviktit në Prishtinë

“QKRMT me keqardhje mori lajmin për humbjen e jetës së 26 vjeçarit në Qendrën e Studentëve, e cila tashmë është kthyer në qendër karantinimi, me qëllim të parandalimit të pandemisë COVID-19. Konsiderojmë që, përgjegjësia institucionale në parandalimin e pandemisë, njëkohësisht është edhe përgjegjësi e dyfishtë për sigurimin e jetës së të karantinuarve përtej rreziqeve pandemike. Si organizatë, e cila monitoron të drejtat e personave të privuar nga liria, e që në rastin në fjalë personi ishte i privuar nga liria, QKRMT kërkon publikisht nga të gjitha hallkat e institucioneve përgjegjëse që me prioritet t’i hetojnë rrethanat e kësaj vdekjeje trishtuese deri në detajet më të hollësishme”, thuhet në reagim.

QKRMT i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të afërmeve të viktimës, duke shpresuar në ngritjen e përgjegjësisë dhe profesionalizmit institucional, në mënyrë që raste të tilla të mos na përsëriten. /Telegrafi/

Flet babai i 26-vjeçarit nga Gjilani qe vdiq në Qendrën e Studentëve