Site icon Telegrafi

Qiraxhinjtë e ‘Pallatit të Rinisë’ qe dy vjet pa kontrata

Ka më shumë se një vit qëkur kontratat e qiraxhinjve të ndërmarrjes shoqërore “Pallati i Rinisë dhe i Sporteve” kanë skaduar. Kontratat janë vazhduar në heshtje pa miratimin e askujt. Në Agjencinë Kosovare të Privatizimit kanë thënë se janë duke bërë evidentimin e të gjitha qiradhënieve, në mënyrë që të ripërtërihen kontratat

Rreth 110 lokale që ndodhen në “Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve” janë duke operuar pa kontrata valide. Ka më shumë se një vit qëkur kontratat e qiraxhinjve të kësaj ndërmarrjeje shoqërore, e cila është nën administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, kanë skaduar. Në mungesë të Bordit të Drejtoreve të AKP-së kontratat janë vazhduar në heshtje pa miratimin e askujt.

Kontratat ishin ripërtërirë në fillim të vitit 2013 për të skaduar pas dy viteve në fillim të vitit 2015. Ndërkohë, AKP-ja ka njoftuar se Bordi i Drejtorëve ka marrë vendim për likuidim të ndërmarrjes më datë 29 prill.

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të “Pallatit të Rinisë”, Qaush Berisha, nuk ka dashur të prononcohet rreth këtij problemi me arsyetimin se të gjitha kompetencat tash kanë kaluar tek AKP-ja dhe se ata janë përgjegjës për kontratat e reja. Në AKP kanë thënë se janë duke shqyrtuar kontratat e të gjithë qiradhënësve, në mënyrë që t’u vazhdohen kontratat përsëri. /Zëri/Telegrafi/

Exit mobile version