Site icon Telegrafi

Qiramarrësve u rritet qeraja, protestojnë para komunës

Pronarët, të cilët i kanë me qira lokalet e Ndërmarrjes Publike Banesore në Prishtinë, kanë protestuar sot para komunës së Prishtinës për të kundërshtuar rritjen e qirasë që i është bërë atyre.

Për këtë ata qëndruan për më shumë se një orë para komunës duke pritur që për këtë çështje të bisedojnë me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetin, pasi që ndërmarrja që ua ka ngritur qiranë është Publike Komunale.

Ata thonë se kjo rritje prej 10 eurove për metër katror është bërë pa dijeninë e tyre dhe se po ashtu është fare e pa arsyeshme.

Elhame Mehmeti, e cila është qiramarrëse e një lokali nga kjo ndërmarrje publike, thotë se këta të fundit nuk i kanë pyetur fare në lidhje me këtë rritje. Sipas saj, tani kjo qira është e pa përballueshme për të.

“Pa kurrfarë arsye as nuk kanë ndërmarrë diçka, as nuk na kanë pyetur diçka, asgjë s’kanë bërë dhe na kanë rritur qiranë. Mua personalisht ma kanë rritur qiranë për 53 euro e 75 cent. E kam pasur qiranë 172 euro, tash e kam mbi 230 euro. Nuk kam mundësi ta paguaj atë qira, tani jam para pensionit edhe 3 vjet dal. Nuk punoj për rrogë, punoj vetëm për pension deri t’i plotësoj ato. Një qese ‘Chipsa’ kushton 60 cent, ndërsa fitoj deri në 3 centë më shumë nuk fitoj edhe nuk kam mundësi. Uji, bërlloku, rryma, tatimi, rryma nuk kam mundësi. Unë nuk e di me çfarë baze i kanë rritë”, tha Mehmeti.

Edhe Fidan Gola, i cili e ka një dyqan të pastrimit kimik në qendër të Prishtinës, thotë se kjo ngritje është e pa arsyeshme, pasi që ata gjithmonë janë kujdesur vetë për mirëmbajtjen e këtyre lokaleve. “Krejt i kemi rregulluar vetë ato baraka, që 40 e kusur vite janë ato baraka, krejt i kemi rregulluar vetë dhe asnjëherë nuk kanë ardhur të pyesin a ka ndonjë problem a jo, dikush me borxh e dikush me kredi jemi mundu të mbesim gjallë me atë lokal. Këta zotëri deri sa e morën votën vinin e thoshin i keni shumë të larta qiratë. Faleminderit Shpendit se është shumë lehtë ta mashtrosh popullin, është lehtë në këtë krizë me gënjye, për mua është puna t’i gjuajmë edhe këta me ve, qysh i gjuajtshin pozitën”, tha Gola.

Tani sipas tij, do ta kenë shumë të vështirë të sigurojnë të ardhura për shkak të krizës së madhe e cila ka kapluar vendin tonë.

Neshit Nushi, thotë që kjo rritje e cila po bëhet herë pas here që nga pas lufta, po bën që të shuhen shumë biznese të zejtarisë. Sipas tij kjo është në dëm të vetë vendit. “Ata nuk janë pronarë të këtyre lokaleve, pronar është komuna. Kurse në ato faturat fillestare para 42 viteve kur na ka dhënë kryetari i atëhershëm, aty shkruante mirë se 3 për qind në emër mirëmbajtjes i takon punëtorisë. 1.7 për qind kanë qenë taksë e tokës dhe gjithë të tjerat kanë qenë në emër të komunës, e gjithë kjo që të stimulohet zejtaria.. Por pas luftës qiratë që ishin dikur për zejtari, u shndërruan në qira ekonomike dhe tash prej 60 dyqaneve që janë atje në qendrën tonë zejtare, nuk kanë ngelur as 30 zejtar”, tha Nushi.

Pas një kohe që qëndruan ata aty, para tyre doli kryetari Ahmeti, i cili i ftoi disa nga përfaqësuesit e tyre që të hyjnë brenda dhe të bisedojnë që ta gjejnë ndonjë zgjidhje.

Pas një konsultimi rreth gjysme ore, Ahmeti së bashku me ta doli nga takimi me një propozim, që këta qiramarrës të formojnë një këshill dhe pastaj së bashku të shkojnë te Ndërmarrja Publike dhe të rishqyrtojnë rritjen e qirave.

“Në momentin që të krijoni të hënën, të martën kurdo, shkojmë i diskutojmë rishqyrtimin e këtij vendimi që ka të bëjë me rritjen e qirave. Unë një drejtim ia kam jep Ndërmarrjes Publike Banesore, ju kam thënë pa rregulluesit duhet t’i zhdukni. Pa rregulluesit nënkuptojnë qira mbi qira, dallaveret që janë bërë, po kjo çështja e rritjeve të qirave është politike dhe kjo mund të rishqyrtohet. Do të thotë nuk e mbroj askënd për dallaveret që i kanë bërë, mirëpo do të ju mbroj kur mendoj që diçka është e papërballueshme dhe që duhet të rishqyrtohet. Sa i përket qirave të këtij muaji unë e di që ka afat të paguhen dhe shpresoj q ë gjatë javës së ardhshme zgjidhet kjo çështje, merret vendimi përfundimtar, prandaj të mos jeni në siklet për këtë pagesë sepse një herë askush nuk guxon me lëvizë”, tha Ahmeti.

Me këtë propozim të kryetarit u pajtuan të gjithë të pranishmit, të cilët dolën menjëherë jashtë komunës dhe diskutuan për formimin e këshillit dhe mbetën që të hënën të vijnë të takohen përsëri me të parin e Prishtinës. /Telegrafi/

Exit mobile version