Site icon Telegrafi

QIPS pas vdekjes së pacientit në psikiatri: ShSKUK të shmangë metodat regresive të trajtimit

Qendra për Informim dhe Përmirësim Social – QIPS, ka reaguar pas vdekjes së pacientit në Klinikën e Psikiatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Në reagimin e organizatës thuhet se “pacienti ishte futur në dhomën e izolimit për trajtim të pavullnetshëm, ku është ndezur një zjarr i cili e vrau pacientin dhe shkaktoi lëndime tek persona të tjerë, duke përfshirë staf dhe një paciente tjetër”.

Lexo po ashtu Vdekja e pacientit në Psikiatri, Bordi i ShSKUK-së paralajmëron veprime ligjore

“Në moment po dyshohet se, për shkak të mungesës së kontrollit adekuat, pacienti ka pasur mundësinë që të marr një mjet me të cilin ndezi krevatin dhe rezultoi në fatalitet”, thuhet në reagimin e QIPS-it.

“I shprehim ngushëllimet tona për familjen në ballë të kësaj tragjedie dhe urojmë shërim sa më të shpejtë për personat tjerë të ndikuar. Gjithashtu mirëpresim lajmin nga ShSKUK se janë në proces të vlerësimit të situatës dhe të ndëshkimit ndaj personave përgjegjës”.

QIPS ka kërkuar nga ShSKUK që të shmangë metodat regresive të trajtimit të pacientëve, duke përfshirë këtu shtrëngimin e trajtimit të pavullnetshëm, ashtu siç rekomandohet edhe nga Oorganizata Botërore e Shëndetësisë.

“Masa të tilla lejojnë dhe legjitimojnë vdekjet e pacientëve nga moskujdesja përkundër idesë se i ‘ruajnë nga vetvetja’. Nuk është vetëm kontrolli i mjaftueshëm që duhet të shtrohet në pyetje, por e gjithë politika e trajtimit të pavullnetshëm të pacientëve në qoftë se dëshirojmë që të sigurojmë se nuk do të ketë më raste të tilla”.

“Shpresojmë se ShSKUK, së bashku me Ministrin Arben Vitia, të ndërmarrin hapat e duhura dhe konform rekomandimeve të OBSH. Për çdo eventualitet, ne do të vazhdojmë ta përcjellim situatën”, bëhet e ditur mes tjerash. /Telegrafi/

Exit mobile version