Finalja e Ligës së Kampionëve do të zhvillohet sot (1 qershor) dhe tifozët e Real Madridit në tërë botën shpresojnë se do të jetë një mbrëmje e bukur për ta, pasi ekipi i tyre është favorit në këtë takim për të fituar trofeun e 15-të.
Sidoqoftë, disa tifozë që vendosën ta përcjellin këtë takim nga afër në ‘Wembley’, eksperienca e tyre u shndërrua në një makth.
Siç është raportuar nga gazeta spanjolle MARCA, 270 tifozë të Real Madridit kanë mbetur të bllokuar në Madrid, pasi kanë rënë pre e një mashtrimi.
Udhëtimi në Londër për këta tifozë ishte organizuar përmes një agjencie, dhe mbrëmjen e së premtes, ata që ishin viktima të këtij mashtrimi, ishin njoftuar se fluturimi ishte anuluar për shkak të “problemeve të mirëmbajtjes së aeroplanit”.
Relevo ka raportuar se Real Madridi ka qenë në dijeni të kësaj situate, dhe tashmë kanë vendosur që këta 270 tifozë të vijnë në “Santiago Bernabeu” për të shikuar finalen nga sektori VIP ndërsa ndeshja do të transmetohet nga disa ekrane gjigante.
Një situatë e tmerrshme për këta tifozë të Real Madridit që ishin pre e mashtrimit, të cilët kanë ëndërruar ta përcjellin këtë ndeshje që prej se Carlo Ancelotti e mposhti Bayern Munichun në gjysmëfinale./Telegrafi/