Site icon Telegrafi

Qindra qytetarëve nga diaspora iu mohohet votimi në zgjedhjet e 14 shkurtit

Foto: Ilustrim

Ka dhjetë vjet që jeton në kryeqytetin belg, Bruksel, por Ardian Mripa vazhdon të jetë i lidhur ngushtë me Kosovën. Tridhjetepesë-vjeçari me origjinë nga Mitrovica mban dy shtetësi dhe ishte entuziast që të votonte për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

“Unë kam dokumente të Kosovës dhe kur kam aplikuar, në e-mail i kam bashkangjitur dokumentet e kërkuara”, tha Mripa në një bisedë për Radion Evropa e Lirë.

Por, më pas ai thotë se nuk ka pranuar më asnjë thirrje apo e-mail nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

“Jam ankuar dy herë në PZAP (Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa), por asnjëherë nuk më janë përgjigjur”, tregon Mripa.

Ngjashëm me të, edhe Arlind Alidema, i cili jeton në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara qe tri vjet thotë se nuk është përfshirë në listën finale të votuesve, pavarësisht se i kishte plotësuar të gjitha kriteret.

Alidema, 25 vjeç, që kishte shkuar në SHBA për studime Master në Diplomaci dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, kritikon institucionet e Kosovës për papërgjegjësi.

“Pasi u shpall lista përfundimtare e votuesve, e pash që afati për ankesë në PZAP ishte vetëm 24 orë. Por, kur e pash njoftimin më kishin mbetur vetëm edhe dy orë që të ankohem. Në ndërkohë, u publikua edhe njoftimi tjetër nga PZAP-ja se nuk pranojnë ankesa përmes e-mailit, por vetëm përmes postës. Sikur ta bëja unë këtë, ankesa ime nuk do të arrinte deri dy ditë para zgjedhjeve”, thotë Alidemaj.

Sipas tij, kjo situatë i demotivon të gjithë ata që duan të votojnë.

Pesëqind votues të ligjshëm jashtë listës përfundimtare?

Sipas organizatës Germin, që merret me çështje të diasporës, janë edhe rreth 500 persona të tjerë, të cilët kanë mbetur padrejtësisht jashtë listës finale të votuesve.

“Problemi ka qenë se procesi i verifikimit përmes telefonit ia ka marr krejt fokusin sekretariatit të KQZ-së dhe ka ndikuar që shumë njerëz të përjashtohen nga lista për shkak të gabimeve teknike. Aty është harxhuar e tërë energjia, gjë që ka ndikuar që proceset tjera të zhvillohen me probleme”, tha Lirim Krasniqi nga ‘Germin’.

Sipas tij, edhe PZAP-ja ka luajtur rol çorientues.

“Lista u publikua shumë vonë, ndërkaq PZAP-ja na kishte refuzuar edhe neve një kërkesë zyrtare, që të paktën ankesat të pranohen përmes e-mailit. PZAP-ja e ka nxjerrë një njoftim edhe në mediat sociale se nuk i pranon ankesat me e-mail, por çuditërisht PZAP-ja i ka pranuar si valide edhe ato ankesa që janë dërguar përmes e-mail-it”, shtoi Krasniqi.

PZAP-ja i kthen në listë vetëm 146 votues

Në PZAP konfirmojnë se i kanë shqyrtuar të gjitha ankesat, edhe ato që kanë arritur përmes e-mail-it brenda afatit prej 24 orësh.

Në total, përmes e-mail-it kanë arritur 1,116 ankesa, por sipas zyrtarëve të PZAP-së, vetëm 281 e-mail-e kanë qenë të kompletuar me dokumentacionin përkatës.

“PZAP-ja 144 apele i ka pranuar si të bazuara dhe ka vendosur që ta urdhërojë KQZ-në që këta votues t’i përfshijë në listën e votuesve jashtë Kosovës për të votuar, ndërsa 124 apele i ka refuzuar si të pabazuara pasi që parashtruesit e apelit nuk kanë ofruar dëshmi të mjaftueshme. Ndërsa 13 apele i ka hedhur si të parregullta. PZAP-ja i ka miratuar si të bazuara edhe dy apele që kanë arritur përmes postës”, sqaroi Mulë Desku, kryesues i sekretariatit të PZAP-së.

Ai nuk komentoi arsyet e ndryshimit të vendimit të PZAP-së për pranimin e ankesave përmes e-mail-it.

Rekord i votuesve nga jashtë

Këtë vit, në KQZ kanë arritur mbi 175 mijë aplikime përmes e-mail-it për votim në zgjedhjet e shkurtit.

Ky institucion i ka miratuar kërkesat e 103,582 aplikuesve jashtë Kosovës, që të votojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Rreth 28 mijë aplikacione janë refuzuar.

Kryetarja e këtij komisioni, Valdete Daka, kishte deklaruar se pavarësisht se disa qytetarë të Kosovës nuk janë telefonuar për t’iu verifikuar të dhënat, nëse ata kanë vërtetuar të drejtë juridike për të marrë pjesë në proces zgjedhor, një gjë e tillë nuk do t’iu mohohet.

Në janar të këtij viti, KQZ-ja njoftoi se shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë shtetit, do t’i telefonojë si masë verifikimi, para se t’i regjistrojë zyrtarisht në listën e votuesve. /rel/Telegrafi/

Exit mobile version