Telegrafi

Qindra qytetarë ishin mbledhur në sheshin e qytetit për të festuar Vitin e Ri, bredhi 24 metra përfshihet nga flaka dhe bëhet shkrumb e hi (Video)

Në qytetin rus Sahalinsk, bredhi i Vitit të Ri i lartë 24 metra është përfshirë nga flaka dhe është bërë shkrumb e hi.

Qindra qytetarë që ishin mbledhur në sheshin e Leninit për të pritur Vitin e Ri, për pak sa nuk e pësuan kur bredhi i qytetit u përfshi nga zjarri, transmeton Telegrafi.

Bredhi i lartë afërsisht sa një ndërtesë mesatare, është djegur e tëra për pak minuta edhe pse jashtë po mbretëronin temperaturat e ulëta deri në minus 6.

Ndërkaq qytetarët që planifikuan ta presin Vitin e Ri afër simbolit të festës, janë kapluar nga paniku kur panë zjarrin.

Dhe derisa ekipet e zjarrfikësve u shfaqën në vendin e ngjarjes, bredhi u djeg plotësisht, ku mbeti vetëm struktura e metaltë.

Nuk raportohet për të lënduar, ndërsa momentin e djegies së bredhit mund ta shikoni në videon e publikuar më poshtë. /Telegrafi/