Qindra krimba dhe insekte u filmuan duke u zvarritur brenda hotelit Watergate ku po qëndron kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu gjatë një vizite në Uashington. Për shkak të kësaj video u ngrit pyetja se si kundërshtarët e politikave të kryeministrit izraelit iu afruan hotelit, pasi zona ishte nën masa të rrepta sigurie.
Videoja e publikuar së bashku në Instagram nga Lëvizja Rinore Palestineze tregon tufa insektesh në dyshemenë e hotelit, me pretendimet se protestuesit ndezën alarmin e zjarrit të hotelit “për të siguruar që nuk do të ketë paqe për Netanyahun dhe Kongresin amerikan derisa nuk turpërohen para gjithë botës”, sipas Washington Post.
Videoja tregon gjithashtu krimbat dhe insektet që zvarriten në një tavolinë me gota për pije, ndërsa flamujt izraelitë dhe amerikanë qëndrojnë krah për krah në sfond.
Një zyrtar i njohur me situatën, i cili foli për The Washington Post në kushte anonimiteti, tha se video duket të jetë autentike.
Banorët e kompleksit Watergate thanë se Shërbimi Sekret i SHBA-së dhe policia e Uashingtonit DC vendosën pika kontrolli gjatë fundjavës për të kontrolluar këdo që hyn në kompleks.
Menaxhmenti reagoi përmes një deklarate se janë në dijeni të videos dhe “ngjarjes fatkeqe që ka ndodhur dje”.
“Prioriteti ynë kryesor është siguria dhe mirëqenia e mysafirëve dhe stafit tonë. Ne kemi marrë hapat e nevojshëm për të siguruar që dëmi është riparuar dhe tani po funksionon normalisht. Ne po bashkëpunojmë plotësisht me autoritetet, të cilët po zgjidhin situatën. Duke qenë se ky është një rast i hapur, ne nuk jemi në gjendje të japim detaje të mëtejshme për momentin”, tha zëdhënësi i hotelit në një deklaratë.
Zyra e Netanyahut nuk iu përgjigj një kërkese për koment. /Telegrafi/