Sanja Lukarevska, drejtoresha e Drejtorisë për të Ardhura Publike, tha se që nga fillimi i skanimit të llogarive fiskale, më shumë se 100 kompani janë gjobitur për mos lëshimin e llogarive fiskale dhe tregoi se masa është në rrugën e duhur për të zvogëluar ekonominë e zezë, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Nga 1 korriku kemi filluar me realizimin e projektit “TVSH-ja Ime”, pra kthimi 15% e TVSH-së që kanë paguar qytetarët, e cila synon të kthejë paratë tek qytetarët dhe të kontribuojë në uljen e ekonomisë së zezë.
Deri më sot, numri i përdoruesve është 183.572, janë skanuar 38.514,016 llogari fiskale, ndërsa është realizuar qarkullim prej 18.877.173.838 denarë. Kthimi prej 15 përqind arrin në 4.986.000 euro”, tha Lukarevska në një konferencë ku u shënua 25 vjetori i DAP-it.
Ajo kujtoi edhe një herë se pagesa për tremujorin e parë, për muajin korrik, gusht dhe shtator do të fillojë në dhjetor dhe u bëri thirrje përdoruesve të aplikacionit “TVSH-ja Ime” që të futin numrin e saktë të llogarisë së transaksionit./Telegrafi/