Politikanët australianë kanë dënuar protestat kundër masave kufizuese të coronavirusit, mes një rritje të rasteve.
Sipas BBC, përcjell Telegrafi, mijëra marshuan në Sydney të shtunën për të kërkuar heqjen e masave të bllokimit, derisa demonstrata më të vogla janë parë në Melbourne dhe Brisbane.
Të paktën 57 persona të përfshirë në protestën e Sydneyt janë akuzuar, derisa më shumë se 500 janë gjobitur.
Të dielën, kryeministrja e New South Wales, Gladys Berejiklian, tha se protestuesit “duhet të ndjejnë turp”.
“Miliona dhe miliona njerëz në të gjithë shtetin tonë po e bëjnë gjënë e duhur dhe kjo thjesht ma theu zemrën që njerëzit kishin një shpërfillje të tillë për bashkëqytetarët e tyre”, tha ajo në një konferencë për medie.
Autoritetet në New South Wales pritet të zgjasin bllokimin aktual, i cili pritet të përfundojë më 30 korrik.
Rreth 13 milionë australianë janë kthyer në bllokim pasi qeveritë e shtetit rivendosën kufizime në javët e fundit për të luftuar variantin Delta, që ka nxitur rastet në të gjithë vendin. /Telegrafi/