Në Gjermani javëve të fundit kanë ndodhur vërshime që nuk mbahen në mend.
Nga këto vërshime kanë humbur jetën shumë qytetarë dhe janë shkaktuar dëme të shumta materiale.
Në mesin e qindra viktimave të këtyre vërshimeve janë edhe çifti Delia nga fshati Zahaq i Pejës.
Në shtëpinë e tyre në Kosovë nuk jeton askush pasi e tërë familja Delia jeton në Gjermani.
Fqinji i tyre rrëfen se Shaban Delia këtë vit kishte planifikuar të vijë në Kosovë, përcjell Telegrafi.
“Ka dashur të ndërtojë shtëpi në Kosovë, por unë i thash “mbase ke ndërmend me jetua në Gjermani mos ndërto shtëpi në Kosovë. Nëse vendos me u kthye eja ndërtoje shtëpinë në vendin tënd”. Kanë qenë tre vëllezër. Tash Shabani paska shkua, kanë mbetur edhe dy vëllezër. Të gjithë jetojnë jashtë”, rrëfen për RTV Dukagjinin Hajrullah Hyseni, fqinj i Shaban Delisë.
Banori tjetër i këtij fshati, Gani Uka, thotë se me të ndjerin Shaban Delia kanë qenë shokë dhe se ai ka qenë i dashur për gjithë fshatin.
“Shabanin e kam pasur shokë në shkollën fillore, ndërsa familjen e ngushtë nuk ia njoh. Na ka ardhur shumë keq për të. Ka qenë njeri i mirë dhe i urtë. Ndjeje shumë keqardhje për atë dhe të gjithë viktimat e atyre përmbytjeve. Ajo është fatkeqësi. Sot atyre nesër mund të na ndodh edhe neve”, deklaroi Gani Uka./Telegrafi/