Një letër e hapur e nënshkruar nga më shumë se 600 organizata nga 70 vende të ndryshme, po u bën thirrje qeverive në të gjithë botën, të ndalojnë shkeljen e të drejtave të njeriut, ndaj përgjigjeve të tyre kundër pandemisë së coronavirusit.
Iniciativa e drejtuar nga organizata ndërkombëtare jofitimprurëse, CIVICUS, që përshkruan veten si një “aleancë globale e shoqërisë civile”, akuzon një numër vendesh për “abuzimin e fuqive emergjente për të vendosur kufizime mbi të drejtat themelore”, përfshirë “lirinë e shprehjes dhe të drejtën e qasjes së informacionit”.
“Në të gjithë globin, gazetarët, mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe zërat e tjerë të pavarur, kërcënohen dhe ndëshkohen për të folur rreth shtrirjes së pandemisë në vendet e tyre, ose masave të miratuara në përgjigje të COVID-19”, thuhet në letër.
“Në mesin e këtyre vendeve janë: Taxhikistani, Nigeria, Egjipti, Tajlanda, Arabia Saudite, El Salvador, Bangladeshi dhe Kina”, thuhet më tej.
Ndërkohë disa qeveri, përfshirë vendet si Hungaria, Armenia, Azerbajxhani dhe Filipinet, kanë miratuar masa legjislative që “kufizojnë lirinë themelore”, në përgjigje të pandemisë së coronavirusit.
Ndërkaq qeveritë e tjera, përfshirë Indinë, Myanmar, dhe Bangladeshi, kanë zbatuar kufizimet dhe “mbylljen” e internetit, masa këto që parandalojnë shumë njerëz të hyjnë në informacione jetësore se si të mbrohen nga virusi.
“Qasja në informacion është thelbësore në përpjekje për të frenuar përhapjen e COVID-19″, thuhet në letër.
“Informacioni duhet të jetë i disponueshëm për të gjithë, jo vetëm zyrtarë të zgjedhur të qeverisë ose ndërmjetës të tjerë. Kjo siguron që individët, komunitetet dhe punonjësit e shëndetit të mund të reagojnë shpejt dhe me përgjegjësi ndaj informacioneve të reja”, thuhet ndër tjerash./Telegrafi/