Site icon Telegrafi

Qeverisja lokale e Ferizajt tejkalon inkasimin e të hyrave vetanake për 2018

Komuna e Ferizajt gjatë vitit 2018 ka arritur të arkëtojë afro 720,982 euro përtej planifikimit për mbledhjen e të hyrave vetanake.

Kjo u bë e ditur nga drejtorja e Financave, Sebahate Ajeti-Sadiku, në seancën e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, ku ajo paraqiti dy propozim vendime, njëra për rritjen e të hyrave vetanake për vitin 2018 dhe tjetra për bartjen e këtyre nga viti 2018 në vitin 2019.

Në këtë seancë pika për miratim nga anëtarët e Kuvendit, ekzekutivi kishte propozuar propozim vendimin për destinimin e pjesës së ngastrës kadastrale Nerodime e Epërme, propozim-vendimin për vënien në diskutim publik të Draft-statutit të Muzeut të Kujtesës, propozim vendimin për vënien në diskutim publik të Rregullores për Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullores për dhënien e dekoratave, propozim-vendim për aprovimin e Rregullores mbi themelimin dhe strukturimin e Asambleve Komunale të Fëmijëve, etj.

Anëtarët e Kuvendit, diskutimet më të gjata i patën në disa prej këtyre pikave. Propozim-vendimi për vënien në diskutim publik të Draft-statutit të Muzeut të Kujtesës, i cili pati disa sugjerime dhe propozime për ndryshime nga anëtarët e Kuvendit.

Aty pati vërejtje edhe për disa prej funksioneve në kuadër të këtij institucioni si dhe strukturës së saj drejtuese, megjithëse fare në fund, në konsiderim të një rëndësie të veçantë që ka ky institucion, mori dritën jeshile shumicës së anëtarëve të Kuvendit për të dal në diskutim publik.

Edhe për Rregulloren për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për Dhënien e Dekoratave, të prezantuara nga drejtorja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Xhemile Murati-Shabani, asamblistët patën diskutime të gjata, duke vënë theksin te disa nga këto dekorata, me qëllimin që të mbeten disa prej atyre që janë në rregulloren e vjetër dhe të riorganizohen këto të propozuara së fundmi nga ekzekutivi.

Kjo pikë e rendit të ditës, mori miratimin e shumicës së anëtarëve të kuvendit, për t’u vënë në diskutim publik.

Në këtë mbledhje miratimin e anëtarëve të Kuvendit të Komunës, mori edhe pika e propozuar nga ekzekutivi për rikonfirmimin, gjegjësisht caktimin e dy anëtarëve të Komisionit komunal për ndarjen e bursave. /Telegrafi/

Exit mobile version