Telegrafi

Qeverisë Thaçi i teprojnë 68 milionë euro

Pavarësisht deklaratave të tij publike se kësaj qeverie nuk guxojnë t’i mbesin para të pashpenzuara, vetëm për tre muajt e parë të këtij viti tepricat buxhetore kanë arritur në hiç më pak se 68 milionë euro.

Kjo bëhet e ditur në dokumentin e Qeverisë për shpenzimet buxhetore në tre mujor, të cilin raport e ka siguruar gazeta Zëri dhe ai do të prezantohet nga ministri i Financave, Bedri Hamza, sot (e hënë).

Sipas këtij dokumenti, të hyrat buxhetore në 3-mujor kanë arritur në rreth 244 milionë euro dhe paraqesin 19.3 për qind të planit vjetor, ndërsa shpenzimet arrijnë në 175.2 milionë euro. Në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, shpenzimet buxhetore janë më të ulëta për 10 milionë euro (5.5 për qind).

Zvogëlimin e këtyre shpenzimeve, zyrtarët qeveritarë e arsyetojnë, me faktin se pagat e muajit mars për shërbyesit civil janë paguar një muaj me vonesë. Përderisa gjendja e mjeteve në llogaritë bankare të Buxhetit të Republikës së Kosovës në fund të marsit të këtij viti ka qenë 358.8 milion euro. /Telegrafi/