Venezuela prej kohësh gjendet në telashe serioze ekonomike. Rënia e çmimeve të naftës në nivel global futi vendin e varur tërësisht nga eksportet e naftës në një kolaps të rrezikshëm, me çmimet që kanë prekur nivele të çmendura dhe me mungesa të konsiderueshme të produkteve bazë nëpër dyqane.
Por, problemi kryesor i Venezuelës është ai se, presidenti i vendit, Nicolas Maduro nuk e njeh hiperinflacionin si problem të vendit, e madje nuk ka ndërmend as që ta adresojë, deklaroi së fundmi ish ministri i financave të vendit.
Gjatë Qershorit, inflacioni në Venezuelë preku nivelin e 46 mijë për qind, ndërkohë që Fondi Monetar Ndërkombëtar projekton se brenda këtij viti indeksi i çmimeve të konsumit do të prekë shifrën e 1 milionë për qind.
Maduro ndërkohë vijon të pretendojë se vendi i tij është viktimë e një lufte ekonomike. Ekspertët shprehen se, për të luftuar hiperinflacionin duhet një program monetar i mirëfilltë dhe jo lëvizje sporadike të qeverisjes qendrore.
Gjithsesi, Venezuela ka ndalur së publikuari të dhënat e inflacionit tre vite më parë, pasi sipas Maduros, bizneset e opozitës po i rrisin artificialisht çmimet për të minuar qeverinë e tij. /Telegrafi/