Telegrafi

Qeveria u bën thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë

Në një komunikatë për opinion theksohet se, Qeveria e Republikës së Kosovës është duke e përcjellë me kujdes të shtuar situatën e krijuar në Mitrovicë pas incidenteve të sotme dhe dënon çdo akt provokues dhe akt të dhunshëm të ndodhur sot.

“Incidentet e tilla nuk i shërbejnë të mirës së vendit dhe u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të ruajnë qetësinë dhe të distancohen nga incidentet e tilla”, thuhet në komunikatën e qeverisë.

Po ashtu bëhet e ditur se, qeveria është në koordinim të plotë me organet vendore të rendit dhe sigurisë, me KFOR-in dhe me EULEX-in, në mënyrë që gjendja e krijuara të tejkalohet dhe të ruhet qetësia dhe stabiliteti në tërë territorin e vendit. /Telegrafi/