Site icon Telegrafi

Qeveria do t’i drejtohet Kushtetueses për pezullimin e likuidimit të Trepçës

Qeveria e Kosovës, të martën do ta parashtrojë kërkesën Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që të ndaloj të gjitha procedurat për likuidimin e ndërmarrjes “Trepça”.

Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Besnik Berisha, këshilltari i jashtëm për çështje të drejtësisë i kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa.

“Qeveria e Kosovës, sot, brenda orarit zyrtar, do të parashtrojë kërkesën për përgjigje ndaj kërkesës së parashtruar nga deputeti Slavko Simiq dhe të tjerët nga Lista Serbe, për të kundërshtuar pretendimet e tyre”, ka thënë Berisha.

“Po ashtu për të kërkuar nga gjykata, që sipas detyrës zyrtare të caktojë masë të përkohshme për të suspenduar dhe ndaluar të gjitha procedurat lidhur me likuidimin e ndërmarrjes Trepça, deri në vendosjen meritore të kësaj çështje”, theksoi Berisha.

Afati i fundit për dorëzimin e kërkesës në Gjykatën Kushtetuese nga ana e ekzekutivit për caktimin e masës së përkohshme lidhur me likuidimin e Trepçës përfundon të martën.

Javën e kaluar, përfaqësuesit e Listës Serbe, të prirë nga kryetari i sa, Slavko Simiq, kanë deponuar te Gjykata Kushtetuese kërkesën për shqyrtimin e ligjshmërisë së miratimit të Ligjit për Trepçën nga ana e legjislativit.

Deputetët e kësaj liste në Kuvendin e Kosovës, siç ka thënë Simiq, nuk janë pajtuar me miratimin e këtij ligji.

Tani mbetet që Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës në mënyrë të përshpejtuar të trajtojë lëndën që do të procedojë Qeveria e Kosovës si dhe atë të Listë Serbe për Ligjin mbi Trepçën dhe të jap një interpretim e parë ligjor (masën suspenduese) para datës 2 nëntor, pasi kjo datë është afati i fundit kohor kur Trepça mund të shkojë në likuidim, thonë ekspertë të çështjeve juridike dhe ekonomisë. /Rel/Telegrafi/

Exit mobile version