Partia në opozitë, Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se do ta votojë Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike në qoftë se Qeveria pranon kërkesat e tyre rreth këtij projektligji.
PDK ka bërë të ditur se Qeverisë Hoti i kanë dërguar kërkesa konkrete për sektorin privat, punëtorët e sektorit publik që janë duke luftuar pandeminë si dhe mbështetje për prodhuesit vendor.
Por, për kërkesat e PDK-së, nga Qeveria Hoti nuk ka ndonjë koment.
Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Antigona Baxhaku në një deklaratë për Telegrafin nuk komentoi qëndrimin e PDK-së, megjithatë tha se ky projektligj do të votohet gjatë kësaj jave.
“Kryeministri, Avdullah Hoti ka paralajmëruar se këtë javë do të votohet Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike”, tha shkurtimisht Baxhaku.
Ndryshe, në mbledhjen e fundit të Komisioni për Buxhet dhe Transfere, PDK kishte shprehur gatishmëri që të ulet me partitë në pushtet dhe të diskutojnë që Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike të kalojë, e kërkesë të vetme e ka që të përfshihen amendamentet e tyre. Ndryshe, ky Projektligj në mungesë të kuorumit kishte dështuar të miratohet nga ky Komision.
Në fillim të muajit nëntor, kishte dështuar të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, ku ishte paraparë të hidhet në votim për lexim të dytë ky Projektligj. Seanca kishte dështuar në mungesë të kuorumit.
Ndryshe, më 12 tetor, pas gjashtë dështimeve, Kuvendi i Kosovës me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, kishte votuar në lexim të parë këtë Projektligj.
Nëse Projektligji siguron votat e nevojshme edhe në lexim të dytë, kryetarja e Kuvendit e nënshkruan dhe e dërgon tek Presidenti për shpallje. Ndërkaq, Presidenti ka afat tetë ditë për ta shpallur ose për ta kthyer atë për rishqyrtim në Kuvend.
Në dispozitat e këtij Projektligji është plotësimi dhe ndryshimi e disa ligjeve, me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë së Kosovës pas efekteve negative të shkaktuara nga pandemia COVID-19. Ky do të mbetet në fuqi deri më 31.12.2021. Pas kësaj date, të gjitha dispozitat e këtij Ligji do të shfuqizohen në mënyrë automatike.
Me anë të këtij Projektligji parashihet zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë euro. /Telegrafi/