Rrjeti televiziv “Al Jazeera Balkans” ka raportuar se kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i është refuzuar viza amerikane për shkak të vendosjes së taksës prej 100 % ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës.
Në lidhje me këtë raportim, Qeveria e Kosovës po thotë se ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje zyrtare nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Donjeta Gashi, zëdhënëse e Qeverisë ka thënë për Telegrafin se Haradinaj do të udhëtonte në Amerikë vetëm për Lutjet e Mëngjesit, jo për konferenca tjera.
“Zyra e Kryeministrit ende nuk ka pranuar asnjë përgjigje zyrtare nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, rreth çështjes së vizës për z. Ramush Haradinaj. E vetmja arsye pse kryeministri do të udhëtonte për në SHBA janë Lutjet e Mëngjesit, e jo ndonjë konferencë”, ka thënë Gashi.
Ndryshe, gazetari i “Al Jazeera Ballkans” raportoi nga Uashingtoni, se Haradinaj më parë kishte marrë një ftesë për të marrë pjesë në konferencën, e cila pritet të mbahet më 6 shkurt.
Megjithatë, një burim nga Departamenti i Shtetit konfirmoi se Haradinaj nuk kishte marrë vizën për hyrje në SHBA shkaku i aplikimit të një takse ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës.
Haradinaj duhej të merrte pjesë në këtë konferencë, kurse mungesën e tij në këtë ngjarje “Al Jazzera Baklans” iu konfirmua nga njëri prej organizatorëve të konferencës.
Kryeministri i Kosovës njoftoi sot se Qeveria e Kosovës është e gatshme të pezullojë përkohësisht taksat ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina nëse ofrohen garanci ndërkombëtare për nënshkrimin e një marrëveshjeje përfundimtare që do të rezultojë në njohjen e Kosovës. /Telegrafi/