Telegrafi

Qeveria tërheq nga bankat 200 milionë euro të PTK-së

Investimi i 200 milionë eurove të Postë-Telekomit të Kosovës (PTK) nga Qeveria e Kosovës në projektin e autostradës, e cila lidh Kosovën me Shqipërinë, nuk do ta rrezikojë sistemin bankar të Kosovës.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Hashim Rexhepi, ka thënë se tërheqja e këtyre mjeteve nuk e vë në rrezik sistemin bankar, pasi bankat, siç ka thënë ai, “kanë alternativa të ndryshme” për ta kompensuar këtë tërheqje.

“Bankat punojnë me planet operative të tyre. 200 milionët e PTK-së do të tërhiqen në mënyrë shumë të kujdesshme”, ka theksuar ai.

Sipas Rexhepit, bankat në Kosovë kanë akcese në bankat e tjera në vendet e jashtme dhe mund të gjejnë burime.

“Këto para prapë do të kthehen në vend, në projekte të ndryshme që Qeveria e Kosovës i ka paraparë t’i investojë në këtë vit”, ka thënë guvernatori Rexhepi.

Ndërsa profesori i Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës (UP), Isa Tahiri, ka deklaruar për gazetën se, nëse këto para investohen në Kosovë, pritet që të sjellin ndryshime pozitive në vend.

“200 milionët e divindentes së PTK-së të marra nga Qeveria e Kosovës do të ishte mirë të investohen në vend, në mënyrë që të gjenerojnë vende pune, siç është edhe rruga e kombit”, është shprehur ai.

Sa i përket dëmtimit të bankave nga tërheqja e 200-milionëshit, profesori Tahiri ka thënë se bankat duhet të vetëdijesohen se ato para janë pasuri e qytetarëve të Kosovës.

“Ato para nga bankat në Kosovë janë marrë me kamata shumë të lira dhe qytetarët kanë paguar norma të larta”, ka theksuar ai.

Njohësi i sektorit bankar, Flamur Keqa, ka thënë për “Epokën e re” se tërheqja e depozitave nga bankat komerciale, në shumën prej 200 milionë eurosh, paraqet një sfidë për sistemin bankar.

“Mungesa e 200 milionë eurove në bilancet e bankave për disa banka mund të paraqesë problem më të vogël, ndërsa për disa pak më të madh”, ka vlerësuar ai.

Sipas Keqes, nëse bankat duhet urgjent ta mbulojnë mungesën e 200-milionëshit dhe nëse kjo do të paraqesë rrezik bankar, ato duhet të futen në borxh nëpër institucione të ndryshme financiare.

Sektori bankar në Kosovë konsiderohet më profitabili, ndërsa kamatat e kredive janë më të lartat në rajon.(epoka)