Site icon Telegrafi

Qeveria të pezullojë implementimin e Ligjit për Sigurime Shëndetësore

Ligji për Sigurimin Shëndetësor është përcjellë me vonesa të shumta në implementim që nga miratimi i tij në prill të vitit 2014. Këto vonesa rezultojnë si arsye e gabimeve fillestare në fazën e hartimit dhe miratimit të tij të shpejtë, pa strukturim të detajuar dhe konsultim me të gjithë akterët kyç, përfshirë këtu edhe sektorin privat. Aq më tepër, një sesion informativ i organizuar së fundmi nga ana e Odës Ekonomike Amerikane ka nxjerrë në pah të meta të shumta, të cilat si të tilla e bëjnë zbatimin e ligjit më të vështirë dhe konfirmojnë mungesën e dialogimit me të gjitha palët e interesit.

Shumë dispozita të rëndësishme të ligjit janë specifikuar mangët ose nuk janë specifikuar fare, duke dhënë kështu përshtypjen se qëllimi i të pasurit të një ligji të tillë është mbledhja e të hyrave shtesë për buxhetin e vendit dhe jo përmirësimi i indikatorëve shëndetësor dhe sigurimi i mbrojtjes financiare nga varfërimi për shkak të shpenzimeve të mëdha për kujdesin shëndetësor, që thuhet të jetë qëllimi i këtij ligji.

Oda Amerikane dëshiron të theksojë se mbledhja e premiumeve shëndetësore para përmbushjes së parakushteve të përcaktuara, është shkelje e ligjit dhe në rrethana të tilla, premiumet nuk mund të ngarkohen dhe mblidhen. Po ashtu, pagesa e premiumeve për shërbime të cilat nuk mund të sigurohen as në sektorin publik e as privat, është në kundërshtim me parimet e ekonomisë së tregut.

Oda Amerikane është e shqetësuar me faktin se Ministria e Shëndetësisë ka theksuar publikisht se të gjitha shërbimet do të kontraktohen nga institucionet publike, ndërsa vetëm ato shërbime të cilat nuk mund të ofrohen në sektorin publik, do të kontraktohen në institucione private të kujdesit shëndetësor. Sipas Ligjit për Shëndetësi, parim kyç i sistemit shëndetësor në Kosovë është trajtimi i barabartë i sektorit publik dhe privat.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë beson fuqishëm që zbatimi i këtij ligji të rëndësishëm nuk duhet të trajtohet si eksperiment dhe si fazë testuese, sepse qasja universale ndaj shërbimeve cilësore shëndetësore është një e drejtë bazike për të gjithë të qytetarët e Republikës së Kosovës, ndërsa trajtimi i barabartë i sektorit publik me atë privat është e drejtë e garantuar me kushtetutë dhe legjislacionin i cili promovon konkurrencën e drejtë dhe trajtimin jodiskriminues, derisa zbatimi i Ligjit për Sigurimin Shëndetësor e cenon këtë të drejtë.

Shqetësuese është edhe mënyra e kalkulimit të premiumeve shëndetësore si përqindje e të ardhurave bruto për individin. Përderisa kuptojmë frymën solidare të ligjit për të siguruar qasje në shërbime shëndetësore për gjithë popullatën, çështja e kontributeve duhet të rregullohet më tej, në kuptim të vendosjes së një tavani të kontributeve për të punësuarit, ngjashëm si në rastin e të vetëpunësuarve. Në të kundërtën, legjislacioni i tanishëm përkundër synimeve të mira mund të rezultojë në nxitjen e informalitetit në punësim, fenomen ky që patjetër duhet të luftohet.

Duke u nisur nga kjo, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë kërkon nga Qeveria e Kosovës që të pezullojë fillimin e mbledhjes së premiumeve të paraparë për 1 janar të vitit 2016 deri në qartësimin e plotë të të gjitha dispozitave të legjislacionit primar dhe sekondar, si dhe në eliminimin e të gjitha të metave, përfshirë këtu edhe diskriminimin ndërmjet institucioneve private dhe publike të kujdesit shëndetësor. Në të njëjtën kohë, Oda Amerikane i bën thirrje Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë që të udhëheqin një proces gjithëpërfshirës konsultimi, me të gjitha organizatat e interesit në Republikën e Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version