Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), ka reaguar lidhur me publikimin e Shtëpisë Botuese “Petit Fute” ndaj Kosovës dhe deklarimeve të deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri.
Ky i fundit në seancën e Kuvendit të premten, tha se ka pranuar informacion se në një revistë franceze Kosova është promovuar si “vend ku kanë lindur manastiret ortodokse serbe”.
Ai bëri të ditur se këtë informacion e ka marrë nga një bashkatdhetar që jeton në Francë, duke shtuar se këtë përshkrim e ka bërë MINT-i.
Në sqarimin e tyre, nga kjo ministri kanë bërë të ditur se Agjencia Kosovare për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve e njohur si KIESA, ka pasur bashkëpunim me Shtëpisë Botuese “Petit Fute” që nga data 11 shkurt 2016, me nënshkrim të marrëveshjes në mes dy palëve për mbështetjen e hartimit, dizajnimit, shtypjes dhe publikimit të 1,500 kopjeve të broshurës për atraksionet turistike në Kosovë, të përshtatura për turistët francezë.
“Në qeverisjen e tanishme, me datën 9 shkurt 2022, përmes një komunikimi zyrtar nga Shtëpia Botuese “Petit Fute” janë kontaktuar Departamenti i Industrisë dhe më pastaj KIESA, në lidhje me vazhdimin e bashkëpunimit për promovimin e kapaciteteve turistike të Kosovës në Francë”.
“KIESA ka vazhduar komunikimin direkt me Shtëpinë Botuese “Petit Fute” dhe ka konfirmuar marrëveshjen e bashkëpunimit për promovimin e aktiviteteve potenciale të turizmit në Kosovë”, thuhet në komunikatën për media.
Tutje, ministria bën të ditur se në komunikim me përfaqësuesit e Shtëpisë Botuese “Petit Fute” të datës 09.08.2022, KIESA ka dërguar dokumentin informues për potencialet e Republikës së Kosovës për t’u publikuar në katalogun e ‘’Petit Fute”.
Por sipas tyre, teksti i vetëm i dërguar nga KIESA tek shtëpia botuese “Petit Fute” është i hapur për publikun dhe nuk përmban asgjë nga shkrimet e publikuara në faqet 94 dhe 95 të katalogut të publikuar nga shtëpia botuese ‘’Petit Fute’’.
“Me datën 18.08.2022, Shtëpia Botuese “Petit Fute” ka dërguar një verzion tjetër të dokumentit promovues të KIESA, për të cilin ka kërkuar komente. Me datën 19.08.2022, KIESA ka reaguar për draftin e ndryshuar tërësisht duke ia rikujtuar Shtëpisë Botuese që, materiali i dërguar nga “Petit Fute” nuk mbështetet aspak në tekstin e dërguar nga KIESA, si dhe ka ridërguar tekstin e njëjtë në bashkëngjitje të dërguar me herët me datën 09.08.2022”.
“Më 28.09.2022, KIESA ka refuzuar publikimin final të dokumentit në fjalë dhe iu ka kërkuar Shtëpisë Botuese “Petit Fute” që para çdo publikimi të ndonjë artikulli të merret aprovimi nga KIESA. Përkundër kësaj, Shtëpia Botuese “Petit Fute” nuk ka dërguar artikullin me korrigjimet e nevojshme për aprovim dhe pagesë nga KIESA, ndonëse i ishte premtuar se teksti do të korrigjohet dhe editohet sipas tekstit origjinal të dërguar nga KIESA”.
“Në këtë rrethanë të krijuar në dëm të historisë sonë të lashtë kombëtare, me publikimin e Shtëpisë Botuese “Petit Fute” të pa aprovuar dhe pa paguar nga MINT- KIESA dhe duke shtrembëruar tërësisht historinë tonë kombëtare, përkundër kërkesës sonë për korrigjime dhe premtimit nga Shtëpia Botuese “Petit Fute”, për editim dhe dërgim për aprovim të tekstit nga KIESA, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë do të ndjekë rrugët ligjore për të adresuar dëmin e krijuar”. /Telegrafi/