Draft-marrëveshja gjithëpërfshirëse, ligjërisht obligative ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, është shqyrtuar sot në mbledhjen e Qeverisë.
Këtë draft – marrëveshje e paraqiti shefi i kabinetit të kryeministrit, Avni Arifi i cili tha se kjo parasheh që Serbia të njohë sovranitetin e Kosovës, të ketë drejtësi për krimet e luftës, të njihen viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe të sigurohet anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare.
“Qeveria e Kosovës ka implementuar çdo marrëveshje të Brukselit. Refuzimi i anës serbe ka bërë që të humbin 12 milionë euro të Brukselit. Qytetarët e Kosovës ndalen në baza ditore, në vendkalimet kufitare. Qeveria në procesin e dialogut do ta mbështesë delegacionin shtetëror. Synimi është të arrihet një kontratë përfundimtare. Tarifa që është vendos ndaj mallrave të Serbisë nuk do të ndryshojë. Kosova ka nevojë për njohjen e Serbisë. Ata kanë nevojë për tregun tonë”, tha ai.
Ndërsa, kryeministri i vendit, tha se e njëjta u është dorëzuar edhe të gjithë bartësve të institucioneve dhe kryetarëve të gjitha subjekteve politike si edhe ambasadorëve të vendeve të Quint-it. /Telegrafi/